Skandal te pediatria, një javë pa analiza për fëmijët
Emanuela Sako
Pediatria nuk kryen asnjë analizë për fëmijët që drejtohen në spital. Rreth një javë më parë spitali i pediatrisë në QSUT, ka pushuar së bëri analiza profesionale, ndërsa mjekët janë të detyruar t’i përcaktojnë diagnozat falë eksperiencës së tyre.
Burime brenda spitalit, u shprehën për gazetën “Albania”, se mjekët e kanë të pamundur të punojnë dhe të përcaktojnë diagnozën e saktë për të sëmurët, pasi nuk kryhen analizat për përcaktimin e tyre. Analizat që nuk kryhen janë analizat e gjakut komplet, analizat e mëlçisë, veshkave, alergjisë etj. Mjekët thonë se ky nuk mund të quhet më një spital, por janë vetëm mjekët dhe muret e ndërtesës. Ndërsa ata që janë më të shqetësuarit janë prindërit e fëmijëve, që detyrimisht do të bëjnë gjithçka për kurimin e tyre. Shumica e prindërve drejtohen në klinikat private për të kryer analizat. Madje ata i blejnë vetë një pjesë të medikamenteve, të cilat nuk mund të gjenden në spital. Arsyeja kryesore për këto mungesa mendohet se janë problemet me tenderat dhe prishja e aparaturës që ndodhet në Laboratorin-Biokimik Klinik. Problemet në këtë laborator janë bërë të zakonshme, ndërkohë që ende nuk është marr asnjë masë për zhbllokimin e situatës. Prindërit, sqarojnë se i blejnë vet një pjesë të barnave. Rozeta Islami, nëna e fëmijës 7 muajsh, prej dy ditësh ka shtruar fëmijën e saj për shkak të ftohjes që ka marrë. Ajo shprehet se një pjesë të medikamenteve i ka blerë vetë, pasi nuk ka mundur t’i gjej në spital.
Mungesat
Asnjë analizë nuk është kryer që prej një jave për pacientët e vegjël që shkojnë çdo ditë në pediatri. Ndërkohë, që aktualisht në dhomat e shtrimit ndodhen rreth 44 fëmijë me probleme të ndryshme shëndetësore. Ndërsa mjekët pretendojnë për një zhbllokim të shpejtë të situatës, por shprehen skeptik kur e mendojnë, pasi sipas tyre, avaritë do të vazhdojnë edhe pas kësaj. Çdo ditë ata kontaktojnë me specialistët e Laboratorit Biokimi-Klinik, nëse mund të bashkëpunojnë për kryerjen e analizave ose jo. Përgjigjja që më shumë se prej një jave është jo. Ndërkohë që e vetmja gjë që mund të bëhet janë vetëm Ekot dhe grafitë, por edhe ato janë të minimizuara. Çdo ditë mund të kruhet nga dy deri në 4 Eko apo Grafi, por kërkesat janë më të shumta. Në laborator nuk kryhen një numër i madh analizash, siç janë analizat e gjakut komplet që janë tepër të rëndësishme në përcaktimin e diagnozave. Të tjera analiza që nuk kryhen janë analizat e veshkave, mëlçisë, tuberkulozit, analizat alergjisë etj. Një nga fëmijët që mendohej se ishte i sëmurë me tuberkuloz është dërguar menjëherë në Spitalin e Senatoriumit, pasi kurimi i tij në pediatrinë e QSUT-së, ishte i pamundur. Sipas mjekëve, vetëm rastet e urgjencave mund të kurohen, me aq mundësi sa iu ofrohen në spital dhe mjetet që kanë ruhen vetëm përballimin e këtyre rasteve. Mjekët thonë se ankesat janë drejtuar shpeshherë nga mjekët, por gjithmonë kanë ngelur në bazën e ankesave dhe asgjë nismë parandaluese nuk është marrë deri tani. Ndërkohë që askush nuk di të japë një afat për përfundimit e situatës.
Problemet
Për shkak të këtyre probleme fëmijët nuk mund të diagnostikohen plotësisht, pasi mjekët e kanë të vështirë përcaktimin e diagnozës pa kryerjen e analizave që kanë të domosdoshme në përcaktimin e sëmundjes që kanë. Sipas mjekëve, kjo situatë mund të shkaktojë gabime në përcaktimin e diagnozës dhe kurim të pa saktë, si dhe vonesa të tepërta në përcaktimin e sëmundjes. Ndërkohë që fëmijët e kanë të nevojshëm kurimin e menjëhershëm për shkak të gjenerimit të sëmundjeve të tjera. Problemet nuk qëndrojnë vetëm në Laboratorin Biokimik-Klinik, por edhe në atë Imunologjik, ku disa analiza janë “përjashtuar” nga lista. Një situatë e tillë është bërë e vazhdueshme në QSUT dhe nuk dihet ende se deri kur do të vazhdojë. Ndërkohë që Drejtoria e QSUT-së, shpeshherë ka dhënë premtimin se kjo është një situatë e përkohshme, ndërsa sa herë i drejtohesh spitaleve përballesh me të njëjtën situatë.
2 Prill 2008