E Shtunë, 31 Tetor 2026

IiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiK



Nga Elisa Spiropali

Ka një keqkuptim tepër të madh që rrezikon një çorientim gjithaq të madh lidhur me sa po thonë për Kryeministrin. Duke i bërë inventarin; këtë e atë, këtu e aty, atëherë dhe tani, madje duke shtuar deri edhe gjëma të ardhshme hipotetike me gërdeca imagjinarë dhe turlilloj fatkeqësish të tjera, gabimisht dhe padrejtësisht po e fajësojnë duke ngatërruar keqas diçka themelore - kriterin e fajësimit. E fajësojnë me kriter “sasior”! Gabimet, zullumet, fajet, e Kryeministrit tonë rrjedhin nga arsye shumë të thella “cilësore” të cilat origjinën e kanë tek veti' të lindura karakteriale individuale. Pa u futur fort thellë nëpër pyetje dhe përgjigje me si-ra, pse-ra, dhe sepsera, ajo çka bie më së shumti në sy, ajo që lehtësisht mund të konstatohet prej cilitdo, është se Kryeministri ynë me karakterin që ka i përket një tipologjie, një modeli të tejkaluar tepër të vjetër kryeministror autoritar, despotik, koha e të cilit ka kaluar, të themi aty kah fillimi i shekullit të kaluar kur vaporët me avull i binin qark Afrikës për të vajtuar në Indi, Kinë, Japoni. Krijesa të tilla, të armatosura me etje të pafundme për pushtet absolut, ka pasur ka dhe do të ketë gjithmonë si një nga kapriçot vështirësisht të shpjegueshme të Krijuesit. Problemi është se për punë të tjera ndoshta, por për kryeministra s’bëjnë. S’bëjnë sepse, në rastin më të mirë, rast që deridiku korespondon me Kryeministrin tonë, rastin kur janë energjikë, energjinë e shpenzojnë më së shumti për lodhje të panumërta përmes marifetesh, shpesh kriminale, që si e si të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet me çdo kusht dhe përgjithmonë.
Vështruar nga ky kënd, janë me të vërtetë për të ardhur keq një numër analistësh të cilët, me kalimin e kohës, në insistimin për ta shkulur Kryeministrin, nga lodhja në lodhje, nga pamundësia në pamundësi, nga dëshpërimi në dëshpërim, ftesat për dorëheqje vijnë dita-ditës duke i spërdredhur, duke iu larguar në këtë mënyrë thelbit aq të thjeshtë, aq të qartë, aq evident, atij thelbi që, si e thamë më sipër, lidhet vetëm me karakterin e Kryeministrit dhe me kurrgjë tjetër.
Sa ironike, sa qesharake, sa absurde, sa paradoksale, t'i thuash një njeriu të tillë të dorëhiqet për Gërdecin! Përveçse shkak për tu ardhur në ndihmë fatkeqëve të terrorizuar nga bombardimi shtetëror, Gërdeci nuk është shkak i asgjëje tjetër por vetëm pasojë. Madje vetëm njëra nga pasojat. Nga të vegjël fare deri te të mëdhenj fare, Shqipëria e sotme është plot e përplot me gërdeca që presin të plasin. Nga Kryeministri i tragjedive me depo që grabiten, armë që rrëmbehen, predha që plasin, municione që shpërthejnë, nuk mund të presësh veçse gërdeca.
Mirëpo komunisti i keq, zullumqari i pandreqshëm, nepotisti i papërmbajtur, Kryeministri ynë, hiç s’e ka ndërmend të iki. Sa e sa herë, në kaq e kaq vite, në rrethana nga më të ndryshmet, është tashme më se e qartë se brenda mendjes së këtij njeriu, që na mbahet edhe për demokrat, mundësia e dorëheqjes nuk ekziston as si mundësi potenciale. Fakti, tashmë i qartë për të gjithë, se llahtarinë e Gërdecit, ai dhe shpura e tij, duke e minimizuar çdo ditë derisa mundësisht në një të ardhme të afërt ta paraqesin sikur nuk ka ndodhur fare, është ilustrimi më i mirë i kësaj qasjeje të frikshme që ky njeri ka ndaj pushtetit. Dhe ky është, dhe me këtë lidhet, i gjithë halli që ka pllakosur shqiptarët me Kryeministrin e tyre delirant.
Ik Kryeministër na lër rehat që punët tona t’i zgjidhim lirisht pa zgjedhën tënde.
Ik se marifetet e tua me të huaj që demek të konsiderojnë duke të thirrur dhe sajdisur andej-këndej janë gënjeshtra trashanike populiste që s’i beson njeri.
Ik, se po të kishte qenë i tillë, ndonjë President i Amerikës për shembull, apo i ndonjë tjetër vendi fuqi bërthamore, do ta kishte hedhur në erë planetin nja njëqind herë deri tani duke i shtypur gabimisht butonat e bombave atomike.
Ik se nuk ke asnjë haber nga shtet-bërja dhe baraka e kalbur që ti e quan qeveri të është rrëzuar.
Ik se je gënjeshtar. Nga pak gënjeshtarë janë të gjithë kryeministrat, por ti je aq gënjeshtar sa e kalon çdo masë.
Çfarë do bëje ti nëse Gërdeci i sotëm do t'i kishte ndodhur pushtetit kur ti ishe në opozitë?! Do t'i vije flakën krejt Shqipërisë. Kuptoje pra, hajde në vetë, dhe ik!
Ik sepse sa herë që vjen na e mbush Shqipërinë plot me dhunë, frikë dhe hajdutllëk, me nëpunësa të korruptuar që dinë vetëm të vjedhin, dhe të rinj shpresëfikur që dinë vetëm të hanë shumë dhe të rrinë gjithë ditën në kafene.
Ik intrigant! Ik ti që shpifjes ia hoqe dënimin por nuk çudite askënd. Se shpifja dhe intriga ty jo vetëm nuk të ka prishur kurrë punë, por vetëm të ka ndrequr.
Ik o i përshtatshëm për një kohë tjetër.
Ik o sjellës fatkeqësish.
Ik o frymëzues i shumë llafe, pak punëve.
Ik se nën shembullin tënd po i mëson shqiptarët t’i bëjnë punët, jo si bëhen në të gjithë botën, pra “sa më mirë të jetë e mundur” por pikërisht të kundërtën, “sa më keq të jetë e mundur”.
Ik merri me vete qitapët e tu, nëpunësit e tu, dallaveret e tua, rreziqet e tua, turpet e tua, tenderat e kurdisur, palaçollëqet mediatike,marifetet elektorale, programet e tua qeverisëse katastrofike etj., etj. Ik gjej një popull tjetër diku sa më larg. Bëj sikur e do, jepi një shembull, pasuroje me një eksperiencë si qeveriset keq, që ta ketë parasysh.
Ik o njeri i komiteteve, kërcënimeve, mbledhjeve, sloganeve, jubileve, festave, filmave, festivaleve, propagandave. Ik o bolshevik i betuar shiti diku tjetër të gjitha këto se këtu s’ti beson më asnjeri.
Ik se po lë pa mend gjithë botën me marrëzitë e tua. Ik, se po ndëjte edhe pak, pasi të na lodhësh, do na çmendësh të gjithëve.
Ik o i vjetër.
Ik me gjithë lavditë e tua imagjinare në luftëra me mullinj ere. Ik se nuk i gënjen dot shqiptarët e sotëm duke i bërë që edhe ata të ndjehen pjesëtarë të lavdive të tua imagjinare sikur demek ato lavdi edhe atyre u përkasin. Ik se shqiptarët e sotëm hiç s'ta kanë ngenë për të tilla se kanë të tjera halle.
Ik, dhe kur të kesh ikur eja në vetë dhe bindu se nuk je as i mbinatyrshëm as i nënnatyrshëm, por i panevojshëm, dhe për të ardhur në vetë nuk të vlen as një popull që e mashtron dhe të voton, as kopeja e servilëve që të vjen nga pas, as lehëtarët që të mbajnë ison, por thjesht dhe vetëm një pension.
Ik edhe për njëmijë arsye të tjera të cilat nuk mund të radhiten këtu sepse ky shkrim do dilte roman.
Ik hiq djegoren tënde. Thuaji ndonjë besniku të të ndihmojë. Sa më larg, diku në hapësirën ndëryjore. Dhe atje, atje larg plasu, shpërtheu, shkatërrohu. Po e bëre këtë edhe ne do ta shpërblejmë; Duke të parë tek digjesh atje lart do të bëjmë të fundit falënderim duke klithur; Ua sa bukur!

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›