E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy ditë më shumë libra për turistët e Vlorës

Panairi i Nëntë i Librit në Vlorë është shtyrë edhe dy ditë të tjera nga mbyllja e tij. Fluksi i lartë i turistëve dhe kërkesat e botuesve pjesëmarrës kanë bërë që panairi i librit të mos mbyllet deri ditën e mërkurë të kësaj jave.

“Kjo do t’i shërbejë më shumë pushuesve të rinj që kanë ardhur në Vlorë për pushime në gjysmën e dytë të muajit gusht”, sipas organizatorëve të këtij panairi, ku morën pjesë rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, me 5000 tituj të ekspozuar, nga të cilët rreth 600 të rinj. Sipas programit në ditët e këtij panairi, u organizuan edhe veprimtari me librin, takim promovues me krijuesit vlonjatë dhe paraqitjen e veprave të tyre gjatë një viti, konferenca për shtyp të organizatorëve etj. Por ajo që dominoi këtë vit ishin takimet spontane të krijuesve me lexuesin në stendat e botuesve të tyre.

“Interesimi i lexuesve, vizitorëve dhe pushuesve të shumtë ka qenë mjaft i madh gjatë këtyre mbrëmjeve me librin. Fakti që këtë vit kishte më shumë botues e botime nga Kosova e Maqedonia e bëri më tërheqës dhe më interesant Panairin Veror të Librit në Vlorë”, - tha Fatmir Toçi për ATSH-në, një nga organizatorët kryesorë të këtij aktiviteti. Por botuesit shprehen se ka edhe shumë vizitorë, që qëndrojnë gjatë para stendave me libra dhe prekin pothuaj të gjitha librat me dorë, por që blejnë fare pak. Edhe emigrantët e shumtë që kanë mbushur Vlorën si rrallë ndonjë vit tjetër, duket se janë më të rezervuar në shpenzimet e tyre, edhe pse ata janë blerësit kryesorë.

Vitet e shkuara, Panairi në Vlorë është mbajtur në pranverë, gjatë sezonit shkollor dhe është ndjekur me interesim nga lexuesit vlonjatë, madje, duke fituar statusin e qytetit, ku libri shqip shitet dhe lexohet më shumë, pas Tiranës. Organizatorë të panairit janë Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Bashkia e Vlorës, mbështetur edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vlorës, Biblioteka e qytetit, si dhe dega e Vlorës e Shoqatës “Labëria”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›