E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Belgjika i dënuari, vrau policin dhe plagosi ish-zyrtarin

 

TIRANE - Interpoli ekstradon nga Belgjika në Shqipëri 34-vjeçarin e dënuar për vrasjen e një ish-punonjësi të policisë dhe plagosjen e ish-shefit të Policisë Kriminale të Vlorës. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit konfirmuan dje ekstradimin e të dënuarit Dritan Xhelita. Ai është shpallur fajtor dhe është dënuar me 18 vjet heqje lirie për veprat penale "vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake". Vendimi i Gjykatës së Tiranës i dhënë më 19 maj 2003, shpjegon se ngjarja për të cilën është akuzuar i ekstraduari Dritan Xhelita ka ndodhur më 2 janar 1998. Sipas hetimeve në lidhje me këtë ngjarje, mësohet se i dënuari Dritan Xhelita është konfrontuar me forcat e policisë, të cilat ushtruan një kontroll në banesën e tij në lagjen "Pavarësia" të qytetit të Vlorës. Gjatë konfrontimit me armë zjarri, sipas hetimeve, në bashkëpunim me vëllain e tij, Dritan Xhelita ka vrarë efektivin e policisë Alket Muça. Në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur si pasojë e shkëmbimit të zjarrit edhe ish-shefi i Policisë Kriminale të Vlorës, Pirro Ymeri. Pasi ka kryer krimin, ekzekutori i policit mësohet se është përpjekur t'i shmanget përballjes me drejtësinë, duke arritur t'i shpëtojë arrestimit nga policia. Për këtë i dënuari Dritan Xhelita pak kohë pasi kishte qëlluar policinë është larguar nga qyteti i Vlorës. Më pas itinerari i lëvizjeve të të dënuarit nuk dihet, por më 10 prill 2008, bazuar në informacionet e dërguara nga Zyra e Interpol Tirana, policia belge ka bërë arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Xhelita. Pas kësaj pala shqiptare ka dërguar në Bruksel vendimet e gjykatave që e kishin dënuar Dritan Xhelitën dhe menjëherë ka nisur procedura për ekstradimin e tij në Shqipëri, me qëllim vuajtjen e dënimit të dhënë në mungesë. Ditën e djeshme i dënuari i shumëkërkuar ka zbritur me pranga në duar në aeroportin e Rinasit, ndërsa i është dorëzuar Policisë së Burgjeve pasi do të fillojë vuajtjen e dënimit të dhënë ndaj tij me 18 vjet heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›