E Diel, 1 Nëntor 2026

“Durrës-Kukës”, Ina Rama: Na bllokuan

 

Trazhgim Sokolaj

Kryeprokurorja Ina Rama konfirmon bllokimin e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës, si pasojë e një vendimi kushtëzues të Gjykatës së Tiranës. Togat e zeza në kryeqytet, shfuqizuan pak ditë më parë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme të datës 6 nëntor 2008, për shtyrjen e afatit të hetimeve. Gjykata deklaroi se pas 6 nëntorit 2008, çdo provë e futur në dosje nga Prokuroria, konsiderohet e pavlefshme. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, tha se organi i akuzës është i detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës në fjalë, duke pohuar se hetimi për zyrtarët e akuzuar dhe të dyshuar në dosjen “Durrës-Kukës”, ka ndaluar. “Për shkak të dispozitave ligjore, ne nuk mund të bëjmë veprime hetimore sepse ka një vendim gjykate. Ne jemi të detyruar të mos bëjmë asnjë veprim hetimor”, është shprehur kryeprokurorja Ina Rama. Ajo nuk preferoi të bënte asnjë koment lidhur me fundin e pritshëm të kësaj çështje, ndërsa tha se Prokuroria e ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës që shfuqizoi vendimin e akuzës për shtyrjen e afatit të hetimeve deri më 6 dhjetor 2008. Në reagimin e saj për këtë çështje, pasi mori pjesë në aktivitetin për një projekt binjakëzimi të Prokurorisë shqiptare me atë spanjolle, Ina Rama refuzoi të bënte komente edhe mbi statusin juridik që do të ketë Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha (aktualisht në hetim dhe pa imunitet) në përfundim të hetimeve për dosjen Durrës-Kukës. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se prokurori i dosjes “Durrës-Kukës”, Arben Kraja, ka dorëzuar dje në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ankimin e tij ku kërkon që vendimi i dhënë pak ditë më parë nga Shkalla e Parë të shfuqizohet, për t’i hapur rrugë veprimeve të mëtejshme në hetimin e dosjes penale për abuzimet e dyshuara me ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën. Më 6 nëntor 2008, të pandehurit Armand Teliti, Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Andi Toma, ish-shef i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Transporteve dhe Lejla Saraçi, Drejtoreshë e Rrugëve, u thirrën në Prokurorinë e Përgjithshme për t’iu komunikuar vendimin për shtyrjen e afatit të hetimeve me një muaj. Prokuroria gjykoi se ishte e nevojshme të kryheshin edhe disa veprime teknike me dosjen duke kërkuar edhe një muaj kohë, por një gjë e tillë u kundërshtua nga të pandehurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›