E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shpërthim në Gërdec”, telefonata e rreme alarmon policinë

 

TIRANE- Një person që telefonoi në një televizion në kryeqytet, alarmoi policinë dje duke pretenduar për një shpërthim në zonën e Gërdecit. Informacioni i dhënë në televizion nga banori i zonës, ka bërë që jo vetëm policia por edhe media të vërshojë në zonën e Gërdecit. Por gjithçka ka rezultuar informacion i rremë, pasi telefonuesi ka qenë pronari i një barake, e cila me vendim të Bashkisë së Vorës ishte vendosur të shembej. Madje, sipas burimeve të policisë, alarmi nuk kishte aspak lidhje me fshatin ku ndodhi tragjedia e 15 marsit 2008. Një objekt në fshatin Marqinet ishte vendosur të shembej, duke qenë se kishte zënë hapësirën e shkollës që duhej të rikonstruktohej në këtë fshat. Për këtë qëllim Bashkia e Vorës kishte vendosur të shembte një barakë dhe një rrethim të ngritur në këtë ambient në mënyrë të kundraligjshme. Mbërritja e vendimit të prishjes dhe e forcave të policisë që duhej të mbështesnin zbatimin e vendimit, ka shtyrë pronarin e ambientit për të lajmëruar mediat se në ambientet e një ish-reparti në fshatin Marqinet ka shpërthyer një predhë. Objekti që do të prishej, sipas policisë, ndodhet në ambientet e një ish-reparti të kthyer në ambient shkolle për banorët e zonës. Sipas banorëve dhe policisë, objekti është dhuruar nga ushtria vite më parë dhe ka nisur të përshtatet si shkollë nga bashkia e Vorës.                  d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›