Tetë familjet në Milot, “zmbrapset” Përmbarimi
MILOT - Përmbarimi i Lezhës nuk arriti të nxjerrë dje nga banesat e tyre tetë familje në një nga pallatet e Milotit. Familjarët, të cilët nuk kanë strehë tjetër, rezistuan duke mos pranuar të lënë banesat. Ndërkohë, në polici përfundoi Nikoll Doda pasi ofendoi një nga punonjësit e Përmbarimit. Sipas banorëve, bëhet fjalë për shtesën e pallatit dy katesh ku ata jetojnë. Këto banesa, në bazë të ligjit përkatës, ata i kanë privatizuar që prej vitit 1994. Ata shprehen se pa dijeninë e tyre, pronari i tokës ka kryer disa seanca gjyqësore, duke përfituar me një vendim të apelit të Tiranës pronësinë. Por vendimi i kësaj gjykate nuk është pranuar të ekzekutohet nga ana e Përmbarimit të Laçit, e cila ka nën juridiksionin e saj zonën e Milotit. Kjo për shkak se u konstatuan shkelje në vendimin e gjykatës. Pas këtij konstatimi, ekspertë të Përmbarimit kanë shkuar vetë te pallati. Por ndryshe nga sa citohej në dokumentet përkatëse, nga ana e pretenduesit të pronësisë, pallati nuk është ndërtuar prej tij në vitin 1939, por në vitin 1971 nga komunalja. Dje banorët, në bazë të vendimit, duhej të linin banesat, por as punonjësit e Komunës së Milotit nuk kanë pranuar të heqin plaçkat, duke e bërë akoma më konfuze situatën. Në këto kushte, Përmbarimi i Lezhës u tërhoq dje, duke mos u lënë ndonjë datë tjetër këtyre familjeve për ndërhyrje. Banorët kërcënojnë me vetëflijim, pasi ata nuk kanë ku të strehohen. r.n