Durrës-Kukës, dy të vdekur gjatë punimeve
Një aksident i rëndë në punë u ka marrë jetën dy punëtorëve të firmës që po ndërton urën e Kolshit në autostradën Durrës-Kukës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 të së hënës dhe viktimat mësohet të jenë një 38-vjeçar nga Kukësi, baba i tre fëmijëve dhe një punëtor nga Maqedonia, 49 vjeç. Ndërkohë mësohet se janë lënduar lehtë dhe dy punëtorë të tjerë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur gjatë montimit të trarëve të urës me anë të vinçit, kur kavot e çeliktë që mbajnë betonin dhjetëra tonësh kanë rrëshqitur. Në këtë mënyrë, trau ka tërhequr në një lartësi 40 metra të dy punëtorët që manovronin aty. Gjatë rënies së fuqishme të traut nga krahu i vinçit, janë lënduar edhe dy punëtorë të tjerë, por pa pasoja serioze. Viktimat janë: Arben Muçmata nga fshati Shtiqen i Kukësit, 38 vjeç, baba i tre fëmijëve, si dhe Vanço Cvetkov, 49 vjeç nga Maqedonia, edhe ky i martuar dhe me fëmijë. Sipas dëshmisë së disa punëtorëve maqedonas, Cvetkov ishte nga një fshat në lindje të Maqedonisë, në kufi me Bullgarinë dhe se në kompaninë e autostradës nuk kishte të afërm. Të dhënat ende jozyrtare të policisë së Kukësit flasin se aksidenti është shkaktuar nga një pakujdesi teknike në një terren me mjegull dhe lagështirë, ndërsa prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, thotë se shkaqet mund të kenë qenë mosrespektimi i rregullave të sigurimit teknik. Ndërkaq, mjeku roje në spitalin e Kukësit tha se të dy viktimat nuk kishin shenja të dukshme të dëmtimit në kokë apo trup, por ata kishin vdekur në vend, pasi kishin rënë nga një lartësi 40 metra. Shkak i vdekjes janë bërë hematomat e brendshme që kanë pësuar të dy burrat. Tre-katër punëtorë maqedonas kanë qëndruar deri natën vonë në urgjencën e spitalit të Kukësit, derisa policia dhe ekspertët mjekoligjorë kanë bërë raportet e duhura. Drejtues të kompanisë janë marrë me të plagosurit lehtë, të cilët janë dy punëtorë që, pas marrjes së ndihmës së parë, kanë shkuar nëpër shtëpitë e tyre. Familjarët e Muçmatës, prindërit dhe të afërmit, kanë tërhequr trupin e të birit nga urgjenca drejt shtëpisë, ku ka nisur morti. Ky është aksidenti i parë që ndodh në këtë segment të autostradës, gjatë më pak se dy viteve që punohet aty. Dy vjet më parë ka pasur një aksident në fshatin Gjegjan, në aksin Kukës-Prizren, ku vdiq një punëtor 27-vjeçar i një kompanie shqiptare, për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik.