Policët ankohen përsëri për orët shtesë
Policët ankohen përsëri për pagesat. Janë 489 uniforma blu të tre komisariateve Fier, Lushnjë e Ballsh, që nuk kanë marrë pagesën për orët e natës, si dhe orët shtesë në punë. Sipas tyre, orët "suplementare" nuk paguhen që nga muaji tetor i vitit të kaluar. E ndërsa policët e papaguar të thonë se kohë pas kohe u duhet të kërkojnë paratë për punën që kanë bërë, në degën e financës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut nuk japin asnjë shpjegim. Vonesa e pagesës për orët e natës dhe për punën jashtë orarit është kthyer për efektivat blu të tre komisariateve të Qarkut Fier në një fenomen të përhershëm. "Ne vijmë këtu për të ruajtur rendin e qetësinë, ndërkohë që kemi muaj pa u paguar për orët e natës dhe orët shtesë në punë", tha një punonjës policie i rolit bazë, që shoqëronte në Gjykatën e Lushnjës një të paraburgosur. Shumë nga policët e Komisariatit të Lushnjës treguan se prej muajit tetor të vitit 2008 nuk janë paguar për orët e natës, si dhe për orët shtesë, siç janë ndeshjet e sportit ku kanë marrë pjesë, si dhe mitingjet dhe aktivitetet artistike, ku u është dashur të shërbejnë. I njëjti problem me mospagesat ekziston edhe në komisariatet e Fierit dhe Ballshit. Krerët e komisariateve të Lushnjës e Ballshit kanë përcjellë çdo muaj orët e natës së vartësve të tyre, si dhe orët shtesë, por është zyra e financës në drejtori që ka vonuar pagesat e policëve. Në drejtori e vetmja përgjigje që vjen zyrtarisht nëpërmjet zyrës së informacionit është premtimi për një zgjidhje të shpejtë. Gjatë viteve të fundit, efektivët e Policisë së Fierit i kanë marrë orët e natës, si dhe orët shtesë, 6 apo 7 muaj me vonesë.