E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrufeja shkakton të plagosur dhe shkatërrime në Përmet

Një rrufe nga ato që në gjuhën popullore quhet "rrufe në qiell të pastër" ka goditur disa banesa në fshatin Brezhan afër Këlcyrës, në rrethin e Përmetit, duke shkaktuar të plagosur, dëme materiale dhe panik. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur të shtunën rreth orës 16.30 gjatë një rrebeshi që, sipas dëshmitarëve, erdhi krejt papritur, me vetëtima e bubullima të frikshme. Një prej këtyre shkarkimeve ka përflakur krejt një lagje të këtij fshati. Rrufeja ka goditur më fort banesat e familjeve Gjikdhima dhe Kolnasi të fshatit Brezhan. "Në momentet e para, pesë pjesëtarët e familjes Gjikdhima kanë humbur ndjenjat, ndërkohë që goditja e rrufesë kishte lënë pas shembje të mureve të shtëpisë dhe flakë në tavanin e në trarët e çatisë së shtëpisë", thotë Gj. Nasi, një nga dëshmitarët që hyri në banesën e goditur e të përfshirë në flakë. Sipas tij, fillimisht është përmendur e zonja e shtëpisë, Kono Gjikdhima, dhe më pas edhe e bija dhe tre nipat e mbesat e saj. Mësohet gjithashtu se vetëm një nga pesë të goditurit nga rrufeja në familjen Gjikdhima pati pasoja në trup dhe kjo ishte vajza e shtëpisë, 25-vjeçarja Krisulla, e cila ka pësuar një djegie në këmbë. Në familjet e tjera, goditja e rrufesë ka shkaktuar dëme në mure dhe në pemët frutore të djegura. Banorët thanë se në këtë zonë shkarkesat elektrike të rrufeve kanë qenë të shpeshta, sidomos në shpatet e malit të Trebeshinës dhe kanë shkaktuar dëme, sidomos në kopetë e bagëtive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›