Veliaj: Nuk mund të pranojmë një Shqipëri me të zhdukur
Kryetari i G99-ës, Erjon Veliaj, reagoi dje nga Lezha për raportin e fundit të "Amnesty International", i cili shpreh shqetësimin për situatën e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe për çështje të mbetura pezull, si ajo e Remzi Hoxhës. Veliaj ka qenë në bazën e Vëzhgimit Ajror në Vain të Lezhës, në ambientet e SHIK-ut, ku sipas dëshmive është torturuar Remzi Hoxha. Gjatë fjalës së tij, Veliaj është ndalur specifikisht në rastin e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, rast i cili përmendej në mënyrë të veçantë në raportin e "Amnesty International", bashkë me tragjedinë e Gërdecit. "Jemi këtu për të kujtuar, për të mos t‘i harruar kurrë ato krime të rënda, autorët e të cilëve janë ende në pushtet", konstatoi Veliaj. Më tej ai theksoi se "ky vend na kujton sesi qytetarët shqiptarë që nuk mendonin njëlloj si qeveria, silleshin këtu me një thes në kokë dhe torturoheshin e zhdukeshin". Por, shtoi kreu i G99, Shqipëria jonë nuk mund të jetë si Kili i Pinochet apo Argjentina e Peronit. Kjo Shqipëri e vjetër, me politikanë të vjetër e kriminelë, theksoi Veliaj, duhet të ndryshojë jo sepse na e kërkon "Amnesty International" apo dhe organizata të tjera ndërkombëtare. "Duhet rimëkëmbur dinjiteti i shqiptarëve dhe duhet sjellë drejtësi për të gjithë ata familjarë që ende sot nuk e kanë të vërtetën mbi fatin e të dashurve të tyre", u shpreh Veliaj. Kjo qeveri, deklaroi më tej kreu i G99, duhet të kërkojë ndjesë për Gërdecin, ashtu siç duhet të kërkojë ndjesë dhe për rastin e Remzi Hoxhës. "Ne nuk duhet t‘i harrojmë kurrë këto ngjarje, përkundrazi t‘i kujtojmë gjithmonë ato dhe ta ndryshojmë këtë realitet kaq të hidhur dhe kaq të turpshëm", tha Veliaj.