E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës "gllabëron" 33 miliardë euro

Shpenzimet për rrugën Durrës-Kukës duket se nuk kanë të ndalur. Projekti i inauguruar zyrtarisht si i përfunduar më 25 qershor të këtij viti, në prani të Kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe atij turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka vijuar të "gllabërojë" më shumë se 4 miliardë lekë mesatarisht çdo muaj. Por ajo që vlerësohet si më problematike është fakti se për tetë muajt e këtij viti, projekti i shumëpërfolur për korrupsion ka ngrënë në total 33 miliardë lekë (rreth 242 milionë euro), ndërkohë buxheti i shtetit pati planifikuar të shpenzonte gjithsej 30 miliardë përgjatë të gjithë vitit 2009. Problemi është se punimet për segmentin Rrëshen-Kalimash pritet të vijojnë deri në qershor të vitit 2010 dhe miliarda të tjera do të drejtohen aty. Për periudhën janar-gusht, rruga Durrës-Kukës ka ngrënë gjithsej 15.5 për qind të të gjitha shpenzimeve buxhetore të Shqipërisë.
Rruga Durrës-Kukës po kthehet në një problem makroekonomik për Shqipërinë. Sipas analizave të FMN-së, rreth 80 për qind e kostos së rrugës përbëhet nga importe, gjë që në vetvete mbart largimin e valutës nga ekonomia shqiptare dhe zhvlerësim të monedhës kombëtare. Zhvlerësimi i lekut përbën njëkohësisht një formë taksimi përmes së cilës shqiptarët po paguajnë për ndërtimin e këtij projekti të konsideruar si "madhor" apo "projekti i shekullit".

Kostoja u rrit me 85 për qind

Vetëm pak javë më parë, gazeta "Shqip" raportoi rritje të kostos së rrugës me 85 për qind më shumë se sa plani, gjë që e kishte shtyrë Ministrinë e Financave t‘i kërkonte llogari Ministrisë së Transporteve për shkaqet. Shkaku i vetëm i shumëfishimit të kostove të këtij projekti deri tani ka qenë "shtimi i volumit të punimeve", pra kompanitë sipërmarrëse.
Ekspertët shqiptarë, kur e analizuan projektin në kuadër të hetimeve të prokurorisë kundër ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, kanë llogaritur koston mesatare për 1 m2 rrugë dhe për 1 m2 ura, duke përjashtuar koston e tunelit dhe TVSH-së për rrugët Rrëshen-Kalimash dhe Kalimash-Morin. Sipas analizës, rezulton se në segmentin Rrëshen-Kalimash kostoja mesatare për 1 m2 rrugë është 266.4 euro/m2, ndërsa kostoja mesatare për 1 m2 ura është 1293 euro/m2. Ndërsa në segmentin Kalimash-Morin kostoja mesatare për 1 m2 rrugë është 140 euro/m2 dhe për 1 m2 ura është 720 euro.

Raporti
Azia po rigjallërohet me shpejtësi

Ekonomitë e Azisë ranë me kokë kur eksportet e tyre u reduktuan ndjeshëm gjatë dimrit të kaluar, por shumica e rajonit duket se po rigjallërohet me shpejtësi, bëri të ditur Banka Aziatike e Zhvillimit në një raport të publikuar dje.
Institucioni shumëpalësh me bazë në Manila deklaroi se rritja ekonomike e Kinës mund të jetë 8.2 për qind këtë vit, 1.2 për qind më shumë sesa parashikimi që po kjo bankë kishte bërë në mars. Vitin e ardhshëm, ekonomia kineze pritet të rritet me 8.9 për qind, shifër kjo e konsideruar spektakolare. Banka e rriti edhe parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Indisë në 6 për qind, nga 5 për qind që ishte vlerësimi i mëparshëm.
"Vendet në zhvillim në Azi duket se po tregohen më të qëndrueshme përballë krizës ekonomike nga sa u mendua fillimisht", tha banka në një deklaratë. Faktori kryesor nxitës i ekonomisë së këtyre vendeve ishte zëvendësimi i eksporteve me rritjen e kërkesës së brendshme. Diçka të tillë asnjë ekspert nuk e priste. Bankat kineze kanë dhënë kredi pafund, ndërkohë që qeveria indiane ka shpenzuar para pa fund. Për më tepër, bankat tregtare në këtë rajon hynë në krizën botërore duke pasur bilance shumë më të qëndrueshme sesa pjesa tjetër e botës, kryesisht për shkak të kujdesit që patën treguar pas krizës financiare aziatike të viteve 1997-‘98.
Vlerësimi për Tajvanin mbetet negativ, kryesisht për shkak se si vend me përmasa të vogla e ka pasur të vështirë të rrisë kërkesën e brendshme për të kompensuar rënien e eksporteve. Edhe Kazakistani do të ketë probleme të mëdha për shkak të kreditimit të tepruar që u krye në këtë vend gjatë vitit të kaluar.
Të dhënat e fundit vënë në dukje edhe distancimin e Azisë nga problemet ekonomike të Perëndimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›