E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH ndëshkon debitorët, 80 mijë banorë pa ujë e drita

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ndëshkon Korçën me errësirë të plotë dhe lë në thatësirë qytetin e Bilishtit. Dy masa të rrepta janë marrë menjëherë brenda ditës së djeshme. Të paktën 80 mijë banorë të zonës po vuajnë pasojat e mospagesave të energjisë elektrike duke mbetur pa ujë dhe pa drita. Shkak, sipas të dhënave zyrtare nga OSSH për rastin e Korçës është bërë një borxh që bashkia e qytetit i ka operatorit për ndriçimin e rrugëve, një debi e pashlyer ende prej një periudhe 3-mujore. Sipas një urdhri të OSSH-së të gjitha subjektet debitore që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj kësaj drejtorie do të ndëshkohen me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike deri në pagesën e plotë të detyrimit të prapambetur. E njëjta situatë ka lënë pa ujë qytetin e Bilishtit për faktin se stacioni i pompave rezulton debitor ndaj OSSH. Korça është zhytur në errësirë të plotë kur gjatë orëve të natës të gjitha bulevardet dhe rrugët dytësore nuk furnizohen më me ndriçim. Të vetmet që kanë ndriçuar qytetin kanë qenë dritat e makinave që qarkullojnë në rrugë dhe të reklamave. Sipas të dhënave nga OSSH, Bashkia e Korçës ka një borxh prej 10 milionë lekësh ndaj kompanisë për ndriçimin e qytetit. Vendimi i marrë së fundi më shumë sesa ka ndëshkuar subjektin debitor ka goditur vetë banorët e zonës. Ndryshe nga qyteti i Korçës, banorët e Bilishtit po përjetojnë thatësirën dhe etjen.

Sipas të dhënave të OSSH-së stacioni i pompave të këtij qyteti ka një debi të prapambetur prej 3.6 milionë lekësh. Masat, sipas drejtorit të OSSH, Gëzim Hoxhalli, përfshijnë të gjitha subjektet, buxhetore dhe jobuxhetore, private dhe familjare të cilat nuk paguajnë për energjinë elektrike të konsumuar. Për çdo subjekt të tillë, sipas tij, do të ndërmerret ndërprerja e energjisë, pavarësisht nga pasojat deri në shlyerjen e detyrimeve.

Nga ana tjetër, gjatë ditëve të fundit, Korça ka pësuar edhe ndërprerje të energjisë për të gjithë abonentët, deri në 7 orë. Shkak u bë remonti në linjën e interkonjeksionit 400 kilovolt në zonën e Zëmblakut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›