Kush bashkëpunon, i falet ndëshkimi
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e fundit miratoi rregulloren e re "Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre". Me miratimin e kësaj rregulloreje mundësohet zbatimi i një programi të ri dhe efikas të lehtësimit nga gjobat për bizneset që bashkëpunojnë me Autoritetin e Konkurrencës në zbulimin dhe ndalimin e praktikave anti-konkurruese. Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i metodologjisë, me anë të së cilës Autoriteti i Konkurrencës llogarit gjobat që vendosen ndaj ndërmarrjeve, të cilat shkelin Ligjin "Për Mbrojtjen e Konkurrencës", si dhe lehtësimin e tyre nga gjobat në rastet e bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës për identifikimin e marrëveshjeve të ndaluara. Sipas nenit 74 të ligjit, masa e gjobës është 2-10 për qind e xhiros vjetore. Pjesa më e rëndësishme për biznesin në këtë rregullore është mundësia që ju jepet ndërmarrjeve për të përfituar heqjen e plotë ose të pjesshme të gjobës në rast se bashkëpunojnë me Autoritetin. "Komisioni mund të japë lehtësim të plotë nga çdo gjobë, nëse një ndërmarrje është e para që ndihmon në zbulimin dhe ndalimin e marrëveshjes së ndaluar (si rastet kartel), si dhe në përcaktimin e personave përgjegjës duke siguruar prova dhe të dhëna, të pazotëruara më parë nga Autoriteti, që i mundësojnë këtij të fundit të fillojë një hetim në lidhje me një marrëveshje të ndaluar ose të zbulojë një shkelje në bazë të ligjit", deklaron institucioni.