E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti i Dibrës, dëmi 1 milion USD

Qeveria shqiptare ka përllogaritur se demi i shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm që tronditi rrethin e Dibrës arrin në 1 milion dollarë.

Shërbimi i Emergjencave Civile ka evidentuar 1200 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave, Alfred Olli, deri tani është bërë preventivi i dëmit për 1100 shtëpi.

Grupet e ekspertëve janë duke vlerësuar masën e dëmit edhe për 100 shtëpi të tjera. Burime nga Ministria e Financave thanë për "Top Channel" se shumë shpejt fatura përfundimtare do të jetë gati, së bashku me udhëzimin për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar.

Kostoja që financat e kanë përllogaritur në 1 milion dollarë do të përballohet nga buxheti i shtetit, saktësisht fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Ministria e Financave thotë se dëmshpërblimi i banorëve do të fillojë shumë shpejt edhe pse deri më tani ende nuk ka një afat zyrtar.

Çdo familje e dëmtuar do të kompensohet me para në dorë për t‘i kryer më pas vetë riparimet e nevojshme. Shuma që do t‘i jepet çdo familjeje do të përcaktohet në bazë të çmimeve shtetërore që përdoren nga Enti Kombëtar i Banesave.

Tërmeti që goditi Dibrën ishte me magnitudë 5.5 ballë të shkallës Rihter dhe preku fshatrat në rrethin e Peshkopisë, Bulqizës dhe Librazhdit. Familjet e shtëpive të dëmtuara janë strehuar përkohësisht në çadra dhe jetojnë në këto kushte për të paktën dy javë.

Çdo familje e dëmtuar do të kompensohet me para në dorë për t‘i kryer më pas vetë riparimet e nevojshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›