E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levan-Tepelenë, rikthehen protestat

Autostrada Levan-Tepelenë nuk po avancon prej më shumë se shtatë muajsh. Shkak janë bërë protestat e fermerëve, tokat e të cilëve preken nga gjurma e kësaj autostrade. Ata ankohen se nuk kanë marrë ende shumat që u takon nga procesi i shpronësimeve. Firma që ka fituar tenderin për ndërtimin e rrugës Levan-Tepelenë prej muajsh ka larguar të gjitha mjetet e rënda teknologjike, kurse gjatë javëve të fundit vetëm dy-tre specialistë kanë inspektuar dhe bërë matje në zonë. Gjatë ditës së djeshme, më shumë se 50 fermerë të Komunës Frakull dhe Levan në rrethin e Fierit kanë protestuar në rrugën lidhëse midis këtyre dy zonave dhe kanë tentuar të bllokojnë edhe rrugën nacionale Fier-Vlorë. Jo vetëm çmimet e kundërshtuara prej tyre, por edhe vonesa e pagesave të shpronësimeve ka bërë që fermerët të dalin në protestë. Ata kanë thënë se si shkak i prekjes së tokave të tyre nga gjurma e autostradës Levan-Tepelenë kanë lënë një pjesë të mirë të tokës pa e punuar dhe pa e mbjellë. Vasil Naçi, fermer nga Komuna Frakull thotë se "nuk po gjejmë zgjidhje as në Prefekturën e Fierit për çështjen e shpronësimeve. Na kanë lënë edhe pa e punuar tokën, pasi firma nuk gjendet në punë dhe shpronësimet ende nuk janë kryer. S‘jemi as në qiell dhe as në tokë". Të gjithë fermerët e Komunës së Frakullës nuk kanë mundur të marrin lekët që u takon nga shpronësimet. "Na ka dalë edhe emri në gazetë dhe pasi jemi interesuar disa herë në komunë, prefekturë dhe këshillin e qarkut asnjë shpjegim nuk kemi marrë", ankohet Agur Vale, një banor tjetër i Frakullës. Numri i fermerëve të pashpronësuar në dy komunat Levan dhe Frakull kalon të 758 personat, por vetëm 40 prej tyre kanë tërhequr lekët e shpronësimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›