Durrës-Kukës, hetim fondeve shtesë

Kjo e fundit ka shtyrë hetimet e dosjes edhe një muaj. Shtyrja e afatit është bërë me qëllim që të verifikohet me gjakftohtësi raporti i ekspertëve kontabël të vlerës reale të rrugës, e cila rezultoi të ndërtohej me shumën prej 1 miliard e 23 milionë euro.
Shuma marramendëse është dhënë me disa vendime të Këshillit të Ministrave, pavarësisht se për ndërtimin e segmentit nuk kishte asnjë projekt apo studim që mund të justifikonin paratë e derdhura nga taksapaguesit shqiptar.
Një gjë e tillë, sipas hetuesve të çështjes, është shkelje e hapur, duke shtuar edhe dëmin për ndërtimin e këtij segmenti. Burime nga akuza qendrore thanë se do të verifikojnë diskutimet në mbledhjet e qeverisë.
Por një “pengesë” për organin qendror të akuzës është edhe përfshirja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Shkeljet
Sipas prokurorisë kontrata është lidhur dhe më pas është miratuar pa pasur një projekt përfundimtar për ndërtimin e rrugës, ndërsa janë akorduar fonde të mëvonshme, duke mos pasur elementët ligjore më të domosdoshëm për dhënien e këtyre të hollave.
Ligji parashikon që objektet të ndërtohen në bazë të projekteve të zbatimit të hartuar nga organe të pajisura me licencë përkatëse.
Akuza tha se gjithmonë kur bëhet një tender ka një fond limit. Në rastin konkret vërehet se nuk ka një fond limit për lëvrimin e fondeve nga buxheti i shtetit.
Një tjetër shkelje vërehet tek paradhënia, e cila nuk mund të kalojë më shumë se 10% të vlerës së kontratës. Në ndërtimin e rrugës, vlera fillestare e çmimit të synuar të kontratës ishte 418333986 euro, pasi në rastin konkret i janë dhënë sipërmarrësit mbi 100 milionë euro.
Nga ana tjetër, në kontratë parashikohet se do të zbatohet ligji anglez. Në asnjë rast nuk mund të kenë efekt mbi territorin shqiptar ligjet e një vendi të huaj. Shkelje tjetër është dhe fakti se një pjesë e dokumenteve të paraqitura për pagesë si dhe të dokumentacionit në përgjithësi janë në gjuhën angleze, çka përbën shkelje të ligjit.
Mbledhjet e qeverisë
Disa muaj më parë grupi hetimor i rrugës Durrës-Kukës-Morinë ka sekuestruar kasetat filmike gjatë përurimit, ndërsa i kërkoi qeverisë debatet e zbardhura në mbledhjen e qeverisë për procedurat dhe lëvrimin e fondeve për ndërtimin e rrugës.
Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Gjergj Bojaxhi, ka qenë kundërshtari më i ashpër i ministrit Basha në një mbledhje qeverie, gjatë së cilës u miratua një vendim për të cilin organi i akuzës është shprehur se është i paligjshëm.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Bojaxhi ka debatuar me Bashën dhe Berishën për vendin që do të zinte investimi i rrugës Rrëshen-Kalimash në buxhetin e shtetit.
Prokuroria ka thërritur për të dëshmuar Bojaxhiun, i cili u ka pohuar prokurorëve të çështjes se u qëndron thënieve të tij në mbledhjen e qeverisë. Mësohet se procesverbali i kësaj mbledhjeje të qeverisë së datës 23.08.2006 është protokolluar pranë Kryeministrisë.