Dy motra në gjyq për të fituar të drejtën e mëmësisë

Besmira Karaj quhet. Vazhdon klasën e katërt me rezultate të shkëlqyera. Rrallëkujt mund t’i jetë dashur që të “vizitojë” dyer e salla gjykatash në këtë moshë, të dëgjojë nene e ligje që s’i kupton.
Të dëgjojë “live” vendime gjykatësish që i përcaktojnë prindërit edhe jashtë dëshirës së saj. Herë-herë ka mbetur e braktisur në salla gjyqesh nga dy “nënat”, secila prej të cilave e kërkon për hesap të vet.
Njëra, ajo që e ka lindur dhe tjetra, ajo që e ka rritur. Konflikti mes dy motrave për “pronësinë” e vajzës lindi që kur Besmira shqiptoi për herë të parë fjalën “nënë”, për atë që ndjente në shpirt. Aktualisht, edhe sipas raportit të psikologut, fëmija është në gjendje depresive. Pohimi i saj se do të hidhet nga kati i katërt është tronditës.
Konflikti
Grindjet e mosmarrëveshjet mes familjeve Hysa e Çeljani kanë përfunduar në Gjykatën e Elbasanit që në vitin 2005. E para ka lindur Besmirën, por e dyta e ka rritur dhe kujdeset për të. Tash, e para e kërkon me të drejtën ligjore prindërore, e dyta nuk do t’ia prishë mbesës, pasi ajo tezes i thotë “nënë”.
“Pa u bërë motake, qante e qante pa pushim për t’i shkuar tezes së saj nga pas”, tregon gjyshja, Behije Hysa.
Adhurimi për tezen Liljana Çeljani dhe dëshira për të qëndruar në shtëpinë e saj detyroi ndoshta Luljeta Karajn, që është nëna biologjike e vajzës, t’ia jepte vajzën motrës së saj për ta mbajtur në shtëpi.
Motra tjetër e Liljanës dhe Luljetës, Vjollca Çela, tregon: “Motra ime, Liljana, nuk ka fëmijë dhe meqë mbesa donte të qëndronte në familjen e saj, u bë një marrëveshje familjare që këtë fëmijë ta rriste Liljana”. Kësisoj, Besmira e vogël u rrit te familja e tezes, pa e besuar askush se një ditë ajo do t’i thërriste “nënë”.
Kaluan vite dhe mes dy familjeve, Hysa dhe Çeljani, u nënshkrua dhe një marrëveshje, pa noterë në mes, që Besmira, meqë kishte dëshirë të rrinte te tezja, të rritej në këtë familje.
Dy motrat, edhe pas këtij akti mbetën sërish motra. Ende nuk dihet saktësisht pse mes tyre nisi grindja, paçka se secila e lidh kontradiktën me fatin e Besmirës në mes.
Në pamundësi për të gjetur një zgjidhje është kërkuar ndihma e drejtësisë. Padia është bërë nga nëna biologjike. Gjykata e Faktit në Elbasan, duke dëgjuar edhe dëshirën e vajzës për të qëndruar në familjen e tezes, ka vendosur që Besmira të jetojë nën kujdestarinë e saj dhe kur të arrijë moshën e gjykimit logjik e ligjor, të zgjedhë.
Është zhvilluar dhe një ankim në Gjykatën e Apelit në Durrës. Ndërkaq, familja Liljana dhe Taip Çeljani janë akuzuar drejtpërdrejt për rrëmbim personi. Madje, Taip Çiljani është ndaluar edhe nga policia disa herë nën këtë akuzë. Pasojat nuk kanë qenë të pakta.
50 mijë lekë gjobë ka paguar tezja e vajzës. 300 mijë lekë gjobë i ka vënë Gjykata e Apelit në Durrës me të njëjtën akuzë. “Kisha kursyer 60 mijë lekë që t’i blija vajzës një kompjuter, por Zyra e Përmbarimit m’i sekuestroi direkt në bankën ku i kisha depozituar. Për gjobën që më kanë vënë do të përpiqem të marr borxhe, pasi nuk kam”, thotë tezja e Besmirës, që është duke e rritur këtë të fundit.
Ndërkaq, dy motrat dhe familjet e tyre janë në armiqësi të plotë. Për secilën, dera e shtëpisë mbetet e mbyllur dhe pa asnjë komunikim. Drejtësia është në mes të dilemës për të zbatuar ligjin për kthimin me forcë të vajzës te nëna biologjike, apo në zbatim të dëshirës së vajzës për të qëndruar te “nëna” që e rriti.