E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, tërhiqet kësti i dytë prej 100 milionë eurosh

Ministria e Financave arriti të tërheqë edhe 100 milionë euro të tjera, nga kredia e dy bankave tregtare. Marrëveshja e arritur në maj, solli zhbllokimin e 95 milionë eurove, të nevojshëm për financimin e rrugës Durrës-Kukës. Punimet në aksin Rrëshen-Kalimash vijojnë ende, kështu që qeveria kërkoi nga bankat këstin e dytë të kredisë, e cila në total është rreth 250 milionë euro dhe me interes 11 për qind. Zyrtarë të lartë nga Ministria e Financave tregojnë për "Shqip", se kësti u lëvrua nga bankat në muajin korrik, ndërsa kanë mbetur edhe rreth 50 milionë euro për t‘u tërhequr. Lidhur me kushtet e marrëveshjes, burimet nga Financat sqarojnë se, "ato nuk kanë ndryshuar, duke lënë opsionin e interesit vjetor në rreth 11 për qind".

Marrëveshja e arritur nga qeveria për të marrë borxh 250 milionë euro me kushte, normë fikse 9.65 për qind plus euribor, krijoi debate të forta mes aktorëve të politikës dhe ekspertëve të ekonomisë. Shumica e vlerësonte marrëveshjen si të nxituar, në kushtet e krizës ekonomike, pasi kushtëzoi bankat të rrisnin interesin. Vetë qeveria e cilëson kredinë e marrë si sukses në kohë krize, kurse interesin 11 për qind, më të mirin e mundshëm, kur në treg norma shkonte deri në 25 për qind.

Tjetër pikë e pasqaruar mbetet kushti për të rinegociuar kontratën me bankat. Kur u mor kësti i parë prej 95 milionë eurosh, Ministria e Financave garantonte një lehtësim të kushteve në muajt e ardhshëm, kur të merret kësti i dytë. Kjo për faktin se në lojë do të hynin edhe banka të tjera, duke lehtësuar peshën e borxhit.

Zyrtarisht, kredi është marrë nga dy banka, të cilat kanë bashkëpunuar me dy të tjera, duke e çuar numrin e pjesëmarrësve në këtë operacion, në katër. Në tenderin e zhvilluar në shkurt, morën pjesë 7 banka, por qeveria zgjodhi vetëm dy, aq sa dhe në marrëveshjen e parë, firmosur në maj 2007.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›