E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi, a është shqetësues zhvlerësimi i lekut



Albert Gjoka

Këtë periudhë xhepat e secilit prej nesh kanë filluar të rrudhen për shumë faktorë, por më i ndjeshmi dhe më me pasoja është ai që ka të bëjë me zhvlerësimin e lekut dhe me forcimin e euros. Monedha europiane është mbiçmuar edhe në një periudhë të tillë si kjo e verës, kur ka hyrje të mëdha valute përmes turistëve dhe emigrantëve që kthehen pranë familjeve të tyre për pushimet e verës. Të gjithë ne që sot paguajmë këstet e kredive në bankë, apo kemi blerë një banesë apo pronë tjetër të patundshme, kur i turremi shportës së produkteve të importit e kështu me radhë, po e kuptojmë sot më shumë se asnjëherë tjetër se lekët firojnë sa hap e mbyll sytë, ndërsa vlera e tyre po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Duke u bazuar nga indekset e tregut të këmbimit, sot lekët që kemi në përdorim kanë të pakën 8 pikë përqindje më pak vlerë sesa një vit më parë.
Deri tani kishim krijuar njëfarë ideje fikse se leku nuk pyet për askënd. Kjo ide ishte krijuar edhe tek ekspertët vendas të financës. Ndërsa të huajt janë habitur vazhdimisht me këtë stabilitet të monedhës tonë, sidomos gjatë 10 viteve të fundit.
Kanë qenë të rrallë ata që kanë parashikuar një tronditje të lekut. Por sot të gjithë jemi dëshmitarë të një trandje të tillë.
Kjo situatë e pazakontë për tregun tonë financiar jo aq të zhvilluar dhe mungesa e informacioneve të dobishme për qytetarët na nxitën që të hapim një rubrikë të përkohshme, ku të trajtojmë aspektet më të rëndësishme të financave personale; pyetje të tilla si: Në çfarë monedhe duhet ta marrim një kredi tani? Po depozitën? A është momenti që të bëjmë këmbime në shuma të mëdha, e të tjera si këto? - do të gjejnë përgjigje në rubrikën tonë. Ne u kemi bërë ofertë për t’iu bashkëngjitur kësaj faqeje ekspertëve, profesorëve, bankierëve, por edhe agjentëve të tregjeve të tjera, si ai i pasurive të patundshme, dhe shpresojmë se do të bëhen pjesë e zellshme e sqarimit dhe e informimit të saktë të qytetarëve në këtë kohë krize.
Duke menduar se tashmë ka ardhur koha për një stad të ri të informacionit ekonomik, qoftë për shkak të kërkesave të qytetarëve dhe rritjes së nivelit të tyre ekonomik dhe kulturor, por edhe për shkak të krizës financiare botërore, ku pa dyshim është e afektuar edhe Shqipëria, ne jemi të hapur për të ngritur një komunikim interaktiv edhe me lexuesit. Për çdo pyetje, paqartësi, ide apo edhe komente, ju mund të na shkruani në adresën e gazetës tonë, ose në adresën e e-mail-it: albertgjoka@yahoo.com. Pjesë e kësaj faqeje janë edhe informacionet e përditshme të tregut të këmbimit valutor, por edhe të tregut të bonove të thesarit dhe produkteve të tjera.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›