E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antidroga arreston shpërndarësin e dozave të kokainës në Kombinat

 

TIRANE - Shërbimet e antidrogës në policinë e kryeqytetit kanë zbuluar aktivitetin e një shpërndarësi të lëndës së kokainës në Kombinat dhe kanë realizuar dje arrestimin e tij. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, konfirmuan dje se Specialistët e Seksionit Kundër Drogës, në bashkëpunim me shërbimet policore të Komisariatit nr.6, kryen arrestimin në flagrancë të personit që dyshohet për konsumim të veprës penale "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike". Armand Ylber Cërriku, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë mësohet se është arrestuar pasi në rrugën "Petraq Leka", në Kombinat, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip "Peugot", me targa të huaja, është gjetur një sasi pluhuri prej 4 gramë ngjyrë e bardhë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë. Menjëherë pas arrestimit të 27-vjeçarit policia ka bërë kontrollet fizike të nevojshme dhe më pas në cilësinë e provave materiale është bërë sekuestrimi i 4 gramë lëndë e dyshuar lëndë narkotike e llojit kokainë, një letër varaku me mbetje pluhuri ngjyrë bezhë dhe automjeti "Peugeot", me targë SV 393569. Burimet zyrtare nga policia thanë se pas arrestimit të shpërndarësit të kokainës, materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".                  t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›