E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet trafikanti i liruar nga gjykata

 

Trazhgim Sokolaj

Skuadrës së Policisë së Durrësit që ishte vënë në ndjekje të Afrim Keçit, i janë dashur plot tre muaj ndjekje për të rikthyer në qeli të dënuarin me 14 vjet burg, që ishte lënë i lirë nga gjykata e qytetit bregdetar. Afrim Keçi, 37 vjeç, nga Shijaku, personazh i shumëkërkuar nga policia, ra në pranga mëngjesin e djeshëm. Arrestimi është kryer nga forcat e Policisë së Durrësit, të cilat kishin marrë informacion për vendndodhjen e të kërkuarit dhe ishin qepur pas me qëllimin për ta rikthyer në pranga. Agjentët e Sektorit të Antidrogës dhe oficerët e Kërkimit të Policisë së Durrësit kanë ndërhyrë në një lokal nate pranë stacionit të Trenit në Tiranë, ku i kërkuari po qëndronte me disa persona të njohur të tij. Sipas burimeve zyrtare policore, 37- vjeçari është arrestuar pa bërë rezistencë dhe më pas është transportuar në qelitë e paraburgimit të Durrësit. Policia e këtij qyteti tha se kishte disa muaj që ishte vënë në ndjekje të të dënuarit, i cili është arrestuar edhe një vit më parë. Pavarësisht se ra në pranga me akuzën e trafikut të drogës, Afrim Keçi u la i lirë në atë kohë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit. Kjo e fundit e konsideroi të paligjshëm arrestimin e 37-vjeçarit, që ishte dënuar me 14 vjet burg për akuzën e trafikut të drogës në Itali. I kërkuari u la i lirë ndërsa prokuroria apeloi vendimin duke kërkuar rikthimin në qeli të 37-vjeçarit. Gjykata e Apelit disa muaj më parë mori çështjen në shqyrtim dhe vendosi që të liruarit të ktheheshin në qeli për shkak të akuzës për trafik droge në drejtim të Italisë dhe dënimeve të dhëna nga Gjykata Italiane.
Arrestimet
Në zbatim të urdhër-arresteve të Gjykatës së Apelit, policia i kërkoi të dënuarit në banesat e tyre që ndodhen farë pranë Komisariatit të Policisë së Shijakut. Duke shfrytëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që i nxori nga qelia, të kërkuarit ishin larguar dhe nuk u gjetën në banesa. Menjëherë policia i shpalli në kërkim dhe filloi gjurmimin e tyre, duke arrestuar dy muaj më parë Astrit Keçin dhe mëngjesin e djeshëm të kërkuarin tjetër Afrim Keçi. Burimet zyrtare nga policia konfirmuan se 37-vjeçari është person i shpallur në kërkim nga Gjykata Italiane e Pizës, për shkak se është dënuar me 14 vjet burg për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Mbi bazën e urdhër-arresteve italiane, policia shqiptare më 9 gusht 2007 bëri arrestimin e katër personave nga Shijaku, kushërinj mes tyre. Sipas hetimeve të zhvilluara në Itali, ata kishin kryer trafikim droge drejt këtij vendi deri në vitin 2005. Pas arrestimit në Durrës në gusht 2007, katër kushërinjtë nuk i pranuan akuzat e ngritura ndaj tyre madje, gjatë masës së arrestit në gjykatë, pohuan se nuk kishin qenë në Itali në kohën kur akuzoheshin se kishin kryer trafikim narkotikësh në këtë vend. Pavarësisht pretendimeve nga të dyshuarit, policia ndaloi dy vëllezërit Afrim dhe Emiljano Keci, bashkë me Astrit dhe Alzan Keçi, këta të fundit djem xhaxhallarësh me të arrestuarit e parë. Në atë kohë, aksioni i policisë shqiptare që arrestoi katër të kërkuarit nga pala italiane, u kodua me emrin "Treviso" pas të dhënave të shkëmbyera mes policisë shqiptare, Prokurorisë dhe Zyrës së Interpol Roma.

Të akuzuarit

Afrim Keci, 36 vjeç

Dënimi 14 vjet e 4 muaj
Akuza,"trafikim i lëndëve narkotike"

Emiljano Keci, 26 vjeç

Dënimi 14 vjet e 6 muaj
Akuza,"trafikim i lëndëve narkotike"; "favorizim e shfrytëzim prostitucioni"

Astrit Keci, 46 vjeç

Dënimi 14 vjet e 4 muaj
Akuza,"trafikim i lëndëve narkotike"; "organizim e drejtim organizatash kriminale"

Alzan Keci, 36 vjeç

Dënimi 7 vjet e 4 muaj
Akuza,"trafik i lëndëve narkotike"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›