Durrës; Merr për skrap gjysmën e vagonit me vinç, arrestohet nga policia
Kishte menduar që një pjesë të një vagoni treni ta përdorte për skrap, por është ndaluar nga policia ndërsa po e ngarkonte atë. Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë 26-vjeçarin Xhelal Karaj, lindur në Librazhd dhe banues në Durrës. Sipas burimeve nga policia, arrestimi i tij u krye pasi me kamionin-vinç, pasi kishte prerë me oksigjen një pjesë të një vagoni mallrash, e ka ngarkuar në kamion atë dhe është larguar. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, që ishin bashkë me të ndaluarin. Sipas burimeve nga policia, Karaj, së bashku me dy personat e tjerë kanë kryer dhe disa vjedhje të tjera në zonën e hekurudhave.