Blushi: Ndërkombëtarët po i kërkojnë Ramës të hyjë në Kuvend
Ben Blushi, rivali kryesor i Edi Ramës në PS, sheh me shqetësim kthimin e partisë së tij në një parti anti-evropiane dhe mungesën në rritje të demokracisë dhe transparencës. Për të parën, ai argumenton se ndërkombëtarët po i bëjnë thirrje PS-së të futet në Kuvend dhe për të dytën, ai merr si shembull shtimin e pajustifikuar të numrit të anëtarësisë së PS-së, për shkak të zgjedhjeve në parti. Anëtari i kryesisë dhe deputeti Blushi kërkon hyrjen e opozitës në Parlament, me argumentin se bojkoti është një qëndrim i ekzagjeruar që po izolon Partinë Socialiste dhe po e kthen atë në pozicione të forta anti-perëndimore. Sipas Blushit, ndërkombëtaret nuk po i kërkojnë Berishës të negociojë me opozitën, por po i kërkojnë PS-së të kthehet në Parlament. Komentet Ben Blushi i bëri në emisionin “Studio e hapur” në TV ALSAT, ku foli edhe për metodat abuzive të Ramës, si mashtrimin e elektoratit për zgjedhje të parakohshme brenda 6 muajsh apo dhe rritjen në mënyrë artificiale të numrit të anëtarësisë së PS-së. “Me qëndrimin jashtë Parlamentit, Partia Socialiste po kthehet në një forcë politike anti-perëndimore. Ka marrë një qëndrim të ekzagjeruar ndaj Parlamentit, gjë që po e çon në izolim në raport me shoqërinë. Po jep pamjen e një opozite të llastuar, e cila i quan zgjedhjet vetëm kur fiton. Zgjedhjet nuk njihen vetëm kur fiton, njihen sa herë që bëhen dhe po e vënë në një pozicion të vështirë me komunitetin ndërkombëtar. Unë nuk kam hyrë në politikë për të përfaqësuar një parti anti-evropiane. Për fat të keq, PS po merr pozicionin dhe doza të forta anti-perëndimore, sepse të gjitha deklaratat e komunitetit ndërkombëtar si arbitër i këtyre zgjedhjeve nuk favorizojnë dhe nuk justifikojnë bojkotin e Parlamentit”, - tha Blushi.
Falsifikimi i listës
Ai vëren më tej se në PS mungon demokracia dhe për këtë qëndrim iu referohet zhvillimeve të pas 28 qershorit. “PS nuk është demokratike sot që flasim. Të gjitha normat e demokracisë së brendshme janë të thyera. Në datën 28 qershor kishte 70 mijë anëtarë të regjistruar, sot ka 83 mijë. Mendoni ju se për 3 muaj mund t’i shtohen 13 mijë anëtarë një partie politike? Është inflantive. Ka infacion anëtarësie. Një parti e cila nuk garanton garë, një parti ku ata që flasin ndryshe dhe që kërkojnë kthimin në Parlament, i kërcënon me përjashtim”, - tha Blushi. Ndërsa më 26 shtator anëtarësia do të votojë për zgjedhjen e kryetarit, Ben Blushi nuk do të jetë një votues. “Në këto zgjedhje unë nuk marr pjesë si votues. Nuk kam asnjë alternativë e cila më bind, për fat të keq, për më tepër askush nuk më kërkon të votoj për një humbës. I them gjithë socialistëve sot se nuk kanë arsye të votojnë për një njeri i cili ka humbur zgjedhjet. Ata socialistë që shkojnë më 26 shtator për ta zgjedhur Edi Ramën si kryetar të PS-së duhet ta dinë se po votojnë për një njeri që ka humbur zgjedhjet”, - tha Blushi. Por megjithatë ai ka shpresë se situata brenda PS mund të ndryshojë. “E vetmja gjë tek e cila shpresoj është një ndërgjegjësim i madh brenda PS për të kuptuar se ky njeri nuk ka aftësinë për të sjellë në pushtet socialistët”, - tha Blushi.