E Diel, 1 Nëntor 2026

LMN, thirrje socialistëve: Mos shkoni në votimin e së shtunës



Zgjedhjet e së shtunës që pritet të rikonfirmojnë në krye të Partisë Socialiste Edi Ramën, i cili nuk pranoi të largohej dhe pse humbi zgjedhjet parlamentare, pritet të bojkotohen nga një pjesë e socialistëve që nuk janë të bindur se këto zgjedhje janë të drejta. Organizimi i bojkotit të zgjedhjeve të Ramës është iniciuar nga kundërshtarët e tij në parti, që njihen tashmë si Lëvizja për Mendim Ndryshe, të cilët nesër organizojnë një takim masiv në qytetin e Durrësit me socialistë të thjeshtë të bazës që mendojnë si ata. Në këtë kuadër, deputetët anti-Rama nuk kanë pranuar të takohen dje me Gramoz Ruçin, kryetarin e Asamblesë së PS-së, i cili u ndau udhëzimet deputetëve që të mbikëqyrin zgjedhjet brenda partisë.

Deputeti Marko Bello, një nga pesë deputetët që po kundërshtojnë fort praktikat e ndjekura nga Rama për bojkotin e Parlamentit, tha dje për “standard” se “takimi i Durrësit do të shërbejë për të sqaruar socialistët se çfarë farse është kjo garë mes Ramës e Lakrorit në radhë të parë dhe se këto zgjedhje nuk sjellin asgjë të re për partinë, vetëm se janë në shërbim të Edi Ramës që ai të zgjasë qëndrimin në krye të partisë”. Sipas Bellos, socialistët nuk kanë arsye që të shkojnë të votojnë të shtunën, ndaj drejtuesit e kësaj lëvizjeje do i bëjnë thirrje bazës që të mos hedhë votën për Ramën, në një moment kur partia ka nevojë të bëjë analizën e humbjes dhe rimëkëmbjen për sfidat e ardhshme.

Bojkoti i deputetëve

Bojkotit të vendosur nga Rama për Kuvendin, 5 deputetët kundërshtarë i përgjigjen me bojkot të zgjedhjeve në parti. Ben Blushi, Arben Malaj, Marko Bello, Kastriot Islami dhe Andis Harasani nuk do të shkojnë të votojnë të shtunën, pasi besojnë se gara Rama-Lakrori ishte një farsë dhe një mashtrim për elektoratin e majtë. Në kuadër të këtij qëndrimi ata nuk iu përgjigjën ftesës së Gramoz Ruçit dje për takim në selinë e partisë, takim ku shpërndaheshin porositë për punën që duhet të kryejë çdo deputet ditën e shtunë. Sipas burimeve nga deputetët anti-Rama, ata nuk vajtën në takimin e djeshëm pasi nuk i njohin këto zgjedhje në parti, të cilat sipas tyre, janë deformuar që në nisje. Ata denoncuan manipulimin e procesit para se ai të nisë, pasi kryetari i komisionit zgjedhor, një njeri që punon dhe në Bashkinë e Tiranës, kërkoi listat e anëtarëve të komisioneve vendore akoma pa u çelur fushata. Ndërkaq Arben Malaj, kandidati i vetëm zyrtar kundër Ramës, hoqi dorë nga gara duke e cilësuar atë jo të barabartë. Burimet zyrtare nga PS thonë se janë 82 mijë anëtarë socialistë në 12 qarqe të vendit, që pritet t’i drejtohen kutive të votimit këtë javë, për të zgjedhur kreun e ri të Partisë Socialiste, duke zgjedhur mes kreut aktual, Edi Rama dhe Maqo Lakrorit, kandidati surprizë që duket se u mbështet nga vetë Rama që të hynte në këtë garë. Janë mbi 300 qendra votimi, të cilat sipas rregullores, do të ngrihen pranë çdo njësie të qeverisjes vendore në vend, ku tashmë kanë nisur përgatitjet për ditën e votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›