Reagimi; Rekomandimet e Dobjanit, pushohen disa policë në burgun e Shën Kollit
Pas publikimit në media të raportit të Avokatit të Popullit për dhunën e ushtruar në burgun e Shën Kollit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve referuar kësaj ngjarjeje sqaron se ajo është evidentuar nga ana e institucionit dhe në përputhje me rregulloren e brendshme të Policisë së Burgjeve janë marrë masat administrative ndaj punonjësve të policisë, që nuk kanë zbatuar këtë rregullore. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë masën administrative me pushim nga puna për dy punonjës policie të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa për një tjetër punonjës policie është marrë masa administrative e pezullimit për një periudhë kohore prej 3 muajsh. Në kuadrin e masave administrative, drejtori i burgut Shën Koll dhe shefi i Sigurisë në këtë institucion janë paralajmëruar me masën administrative largim nga detyra, në rast të përsëritjes së ngjarjeve të tilla në të ardhmen.