E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Morinë, fushatë politike me pikturë

 

ALMA MILE

Kantiere ndërtimi, punëtorë me kaska në kokë, ekskavatorë që gërryejnë tokën, kodra gjelbëroshe, rrugë që gjarpërojnë maleve të thepisura... Ngjyra të gjalla që i fiksojnë në telajo. “Korridori i shqiptarëve” titullohet ekspozita me peizazhe me motive nga rruga Durrës-Kukës-Morinë, të realizuara nga piktori Buron Kaceli, e cila u hap mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Janë 35 punime, krijuar gjatë muajve të fundit, përmes të cilave Kaceli rrëfen gjithë procesin e ndërtimit të kësaj rruge. Ai gërsheton peizazhin e virgjër të Shqipërisë së Veriut me këtë vepër, siç e quan vetë piktori “monumentale”. Mes gjelbërimit gjarpëron rruga gri, prej një kumbulle bardhoshe shquhen kantiere, më tej ca gjeometra bëjnë matje, diku shpohet një tunel... Çdo tablo i takon një segmenti të caktuar të rrugës. Fillon me “Trasenë e re përballë malit të Krujës”, për të vijuar me “Nëpër grykën e Matit”, “Pranë fshatit Ndërfanë”, duke shkuar “Drejt Gziqit”... “Drejt Repsit”, deri tek tuneli, apo “Pranë Gjallicës”, për të shkuar “Drejt Morinës”. Duket se piktori e ka ndjekur hap pas hapi këtë vepër, duke e mbushur këtë udhëtim me momente pune, kantiere, apo edhe etyde, ku tregohen ekskavatorë, që si ca përbindësha të uritur gërryejnë shkëmbinj...
Çuditërisht asgjë nuk ngjan e panjohur në gjithë këtë kolazh punësh, edhe pse bëhet fjalë për një ekspozitë të re, të hapur në ambientet e institucionit më të rëndësishëm të artit pamor në Shqipëri. Nëse askush nuk të orienton se bëhet fjalë për vepra të reja, kushdo mund të mendojë se këto punë janë nxjerrë nga fondi i Galerisë së Arteve, ku tregohet ndërtimi i socializmit. Është e njëjta frymë, i njëjti entuziazëm, si në veprat e real-socializmit. Një entuziazëm që piktori nuk ka harruar ta shprehë qysh në faqet e para të katalogut të tij: “... Unë ndjehem dy herë krenar. Ndihem krenar si shqiptar, por edhe si anëtar i Partisë Demokratike që me liderin Berisha, me vullnetin dhe vendosmërinë e tij bëri të mundur realizimin e kësaj vepre monumentale”.
Nëse askush nuk do të orientojë se bëhet fjalë për vepra të reja, do të mendoje se janë ato veprat që mbushin pavijonet e rinovuara të linjës muzeale në GKA, nga ku të buzëqeshin montatorë, saldatorë, minatorë... punëtorë që hapin rrugë e trase të reja.. Si duket është më se e vërtetë që kohët ndryshojnë, por thelbi mbetet i njëjtë. Me, apo pa dashje arti vihet në shërbim të politikës së kohës, duke u bërë në të vërtetë dhe dëshmitarja më e mirë e saj. Por ekspozita “Korridori i shqiptarëve” është vetëm një prej ngjarjeve kulturore, që zhvillohet nën këtë frymë dhe kushtuar rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Vetëm pak ditë më parë, po në ambientet e jashtme të GKA-së (për shkak të një incidenti para Akademisë së Arteve) u zhvillua performanca artistike “Rruga e kombit”, posteri i së cilës edhe sot mbulon fasadën e ndërtesës së Universitetit Politeknik (korpusit). Të rinj nga Shqipëria e Kosova sollën perceptimin e tyre mbi ndërtimin e kësaj rruge, përmes veprave në pikturë, video-instalacion, fotografi, etj. Sigurisht nuk mund të mohohet se ndërtimi i kësaj rruge është i rëndësishëm në komunikimin mes dy vendeve, por kur për të treguar këtë nuk mjaftojnë politikanët, por përfshihet edhe arti, atëherë kemi të bëjmë me glorifikim. Të dyja aktivitetet që përmendëm janë organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndryshe nga punët e krijuara nën diktaturë, ku nuk mungojnë sloganet e tipit “Lavdi PPSH-së”, në veprat kushtuar rrugës Durës-Kukës-Morinë, mungon “Shqipëria po ndryshon” edhe pse është lehtë e lexueshme, pasi kjo vepër është pika më e fortë e fushatës elektorale të së djathtës. Ndoshta, pas shumë vitesh këto vepra, të cilat po ekspozohen në valën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare (edhe pse autorët nuk e pranojnë këtë) do vihen në ndonjë tjetër pavijon muzeal të Galerisë Kombëtare të Arteve, e ndoshta si sot autorët do protestojnë se këto “nuk janë veprat e tyre më përfaqësuese”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›