Gjirokastër, grabitet për herë të 20-të Kisha e Kryeëngjëjve
GJIROKASTER - Për të 20-ën herë prej vitit 1991 grabitet Kisha e Kryeëngjëjve në lagjen “Varrosh” në qytetin e Gjirokastrës. Grabitësit kanë marrë nga objekti i kultit ortodoks një shumë prej 60 mijë lekësh, por nuk janë mjaftuar vetëm me kaq. Sipas kujdestarëve të kishës, mëngjesin e djeshëm hajdutët pasi kanë dhunuar kishën dhe më pas marrjen e sasisë të hollave të pranishme në kasën e drunjtë, dëmtuan një pjesë të ikonave. Sipas at Dhionizit, kjo është një vepër e shëmtuar e segmenteve që nuk kanë kurrfarë besimi te Zoti dhe të motivuar për të dëmtuar objektet e kulteve, cilatdo qofshin ato. Dëshmitarët okularë kanë pohuar se, dera kryesore e Kishës së Kryeëngjëjve është thyer me mjete të forta, duke përdorur levë dhe mjete të tjera rrethanore. Pas kësaj ngjarjeje është njoftuar grupi hetimor, i cili ka shkuar në vendngjarje për të parë nga afër gjurmët që kishin lënë grabitësit. Mësohet se deri në orët e pasdites, policia e Gjirokastrës nuk ka njoftuar për rënien në gjurmë të keqbërësve. Në të gjitha rastet e vjedhjes së Kishës ortodokse të Kryeëngjëjve, asnjëherë grabitësit nuk janë identifikuar. Grabitja më spektakolare e Kishës së Kryeëngjëjve është shënuar para tetë vjetësh me vjedhjen e kambanës së saj por disa vjet më vonë ajo u rikthye nga jashtë ku ishte çuar për t’u shitur. Kisha ortodokse e Kryeëngjëjve është ndërtuar në vitin 1777 dhe ka një stil të hershëm bizantin në formulën e kreacionit. Rehabilitimin e fundit ajo e ka pësuar në vitin 1994 me fonde të qeverisë greke. Rasti i djeshëm është i dyti në rrethin e Gjirokastrës brenda një harku kohor prej 10 ditësh pas grabitjes së kishës e fshatit Jorgucat në zonën ku jeton pakica minoritare helene në jug të vendit. p.n