E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reamonn” e Giussy Ferreri, koncert në Tiranë

 

Mund të numërohen me gishtat e duarve ata që nuk njohin këngët “Novembre”, apo “Super girl”. Sot, jepet mundësia për t’i dëgjuar live. Tre nga emrat më në zë të muzikës botërore, Giusy Ferreri, këngëtarja e suksesshme italiane, grupi gjerman “Reamonn” dhe kantautorja italo-australiane Gabriella Cilmi, mbërrijnë sot në Tiranë për të marrë pjesë në festivalin “Rock Over Tirana”, që zhvillohet në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Ky festival rock-u që zhvillohet për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, është mundësuar nga kompania shqiptare artistike “Living Room Show”, me mbështetjen e kompanisë celulare AMC. “Rock Over Tirana” do të sjellë në një skenë të ngritur në qendër të stadiumit “Qemal Stafa” edhe emra të njohur këngëtarësh shqiptarë të kësaj rryme muzikore. Nata e parë e festivalit, e cila u zhvillua mbrëmë në orën 19:00, pati për protagonistë grupet muzikore shqiptare “Permit of Stay”, “Linda në botën e çudirave”, “00 Genti”, “Bojken Lako and the fish”, “Chaos in order”, “The forest”, “The rooms” dhe “Troja”, të cilët sollën për spektatorin kryeqytetas disa prej hiteve më të njohura të tyre.
Ndërsa sot publiku do të dëgjojë të kënduara live këngë-hite si “Non ti scordar mai di me”, “Novembre”, etj., nga Giusy Ferreri, një ndër këngëtaret më në zë të momentit, e zbuluar për herë të parë në vitin 2008, pas pjesëmarrjes së saj në një prej konkurseve për talentet e reja në Itali, “X factor”, ku u vlerësua e dyta. Për zërin e saj të veçantë, është krahasuar me këngëtaret Sarah Vaughan, Bessie Smith dhe Amy Winehouse. Kënga e saj e parë “Non ti scordar mai di me” ka qëndruar për 15 javë me radhë në krye të klasifikimeve botërore. Po sot do të interpretohen edhe këngët “Supergirl”, “Tonight”, “Star”, etj. nga “Reamonn”, një nga grupet më të mira në Gjermani, disqet e të cilëve janë ndër më të shiturat në Evropë. “Reamon” shënoi sukses që me albumin e tij të parë. Ndërsa Gabriella Cilmi, fituese e gjashtë çmimeve “ARIA” dhe e vlerësuar  si “Artistja më e mirë Femër, 2008” do të sjellë hitet e saj “Sweet about me”, “Don`t tell me”, “Sorry”, etj. Biletat kushtojnë 1500 lekë dhe shiten pranë Pallatit të Kongreseve dhe “Living room”. Koncerti nis në orën 19.00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›