E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Durrës-Morinë”, plaçkiten magazinat e “Bechtel Enka”



Mirditë – Persona që ende mbeten të paidentifikuar kanë plaçkitur në orët e para të ditës së djeshme magazinat e kompanisë “Bechtel Enka”, e cila po kryen punimet e segmentit kombëtar rrugor “Durrës-Morinë”. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur në pjesën e segmentit “Rrëshen-Kalimash”, kilometri i katërmbëdhjetë. Burime nga Komisariati i Policisë së Mirditës konfirmuan se është marrë një kallëzim penal nga autoritetet e kompanisë “Bechtel Enka”, e cila raportonte se në magazinat e saj janë vjedhur mallra me vlerë të përafërt prej pesë mijë dollarësh amerikanë. Sipas kallëzimit, ndër mallrat e vjedhura janë edhe shumë sende personale të punëtorëve, të cilët i kishin vendosur ato në mjediset e brendshme të magazinave të “Bechtel Enka”, që u plaçkitën duke u gdhirë e enjtja.

Pranga tre personave, dyshohen për vjedhjen e 10 mijë eurove në një minikazino

Elbasan – Tre persona u arrestuan dje nga policia, pasi dyshohen si autorë të vjedhjes së një shume parash në një lokal lojërash fati në Elbasan. Burime policore thanë për gazetën se Gent Sharku, 22 vjeç, Denis Pjetri dhe Ervin Buneci, u arrestuan si autorë të vjedhjes së dhjetë mijë eurove pesë ditë më parë, në lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit. Po sipas policisë, hetimet intensive mundën të lokalizojnë dhe arrestojnë tre djemtë e dyshuar, edhe pse pjesën më të madhe të parave ata e kishin shpenzuar.

Digjet shtëpia, vdes nga asfiksia 83-vjeçari

Shkodër - Një 83-vjeçar u dogj në shtëpinë e tij pasi ajo ka marrë flakë për shkak të luhatjeve të tensionit. Ngjarja ka ndodhur dje në mbrëmje në lagjen “Muze” të qytetit të Shkodrës. Burime nga policia kanë bërë të ditur se për shkak të luhatjeve të tensionit ka marrë flakë banesa e Prekë Gjeloshit, i cili nuk ka mundur të dalë jashtë, por është shkrumbuar brenda së bashku me shtëpinë. Mësohet se viktima ndodhej i vetëm në banesë në momentin e rënies së zjarrit, ndërkohë që nuk ka mundur të dalë për të shpëtuar. Policia ka konfirmuar se 83-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë nga tymi. Flakët rrezikuan edhe banesat e tjera që ndodheshin afër shtëpisë së Gjeloshit, por zjarrfikësit kanë bërë të mundur shuarjen e menjëhershme të flakëve, duke mos lejuar përhapjen e tyre.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›