Vetëhelmimet, vdes nëna e dy fëmijëve, rëndë në spital adoleshenti
Tiranë – Nëna e dy fëmijëve në Durrës dhe një adoleshent nga Kruja janë dy personat që kanë dashur t’i japin me vetëhelmim fund tragjik jetës. Ndërsa është në gramat e fundit në spital adoleshenti, gruaja e ka humbur betejën për jetën pa mbërritur ende në duart e bluzave të bardha. Burime policore thanë për gazetën se Redion Gega, 19 vjeç, lindur dhe banues në Thumanë të Krujës, ka konsumuar lëndë helmuese fostoksinë. Ai është dërguar menjëherë nga familjarët e tij në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku vazhdon edhe të marrë mjekim. Shkak i këtij veprimi është gjendja e rëndë psikologjike e tij. Redioni ka konsumuar veprën penale të “vjedhjes” e për këtë arsye Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë i ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të cilën ai e kryen prej shtatë muajsh. Po kështu, pas një debati që ka zhvilluar me bashkëshortin e saj, Etleva Habibi, banuese në Lagjen Nr.17 të Kënetës në Durrës, e martuar, me dy fëmijë, ka konsumuar lëndë helmuese, e cila nuk duhet ende se çfarë lloji është. Pasi është konstatuar nga familjarët, bashkëshorti i saj e dërgoi në spitalin rajonal të qytetit për ndihmë mjekësore, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Durrës, denoncimi i rrallë i një pronari për vjedhjen e anijes
Durrës – Një denoncim i rrallë ka mbërritur dje në Policinë e Durrësit, kur një qytetar kërkoi ndihmë për të gjetur anijen e tij, që deklaron se ia kanë grabitur në vend-ankorim. Sipas njoftimit të policisë, Fatmir Abazi, 37 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 16 të qytetit të Durrësit, ka denoncuar se në Kalatën lindore të Portit, i është zhdukur në rrethana të mistershme anija e tij “Adriana”, me kapacitet të lirë 1.5 tonë, e nxjerrë në stere për riparime. Abazi ka deklaruar në kallëzimin e tij penal se e kishte nxjerrë anijen dy ditë më parë në tokë, në kalatën e portit, por kur kishte shkuar dje në mëngjes, nuk e kishte gjetur atje anijen e ankoruar. Për denoncimin e rrallë policia tha se nisi hetimet dhe mori në pyetje dje përfaqësues nga Kapiteneria e Portit të Durrësit. Këta të fundit kanë deklaruar se një anije me emrin “Adriana” nuk u rezulton fare e regjistruar zyrtarisht. Ndërkohë, vetë pronari i anijes këmbënguli se mjeti lundrues i është vjedhur dhe aludon të jetë zhdukur me ndonjë kamion, larg vëmendjes së shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë së Portit Kombëtar të Durrësit.
30 Janar 2009