E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrin në Gjykatë dosja për mjekun që nuk kallëzoi abuzimet



Tiranë - Pas Xhon Devid Braunit, Robin Arnoldit dhe Dino Kristodulus, të akuzuar për pedofili, një tjetër i huaj merret i pandehur për skandalin seksual që tronditi Tiranën në 2005-n. Drejtuesi i një klinike të huaj është dërguar si i pandehur në Gjykatën penale të Tiranës dhe do të gjykohet nga gjyqtari Martin Deda për akuzën e moskallëzimit të krimit. Hetimet për anglezin nisën menjëherë pas një deklarate të tij të dhënë në gjykatë, ku pohoi se ishte në dijeni të abuzimit seksual me të miturit. Por prokuroria pa të dyshimta raportet mjekësore ku fëmijët përshkruheshin pa probleme, në një kohë që të miturit rezultonin të abuzuar. Po gjatë këtij procesi doli në dritë një raport impotence për Xhon Devid Braunin, e firmosur nga klinika, pavarësisht se ekzaminimet e bëra nga ekipi shqiptar nuk flisnin për një gjë të tillë. Klinika e huaj gjendet farë pranë ndërtesës ku të miturit strehoheshin në qendrën “Fëmijët e tij”, që prej skandalit të bërë publik e mbyllur nga autoritetet. Administratori i kësaj qendre, Xhon Devid Braun, u dënua pak muaj më parë me 20 vjet burg dhe u shpall person i padëshiruar në Shqipëri. Ndërkaq, një gjykatëse tjetër po drejton procesin ndaj dy të akuzuarve të tjerë për pedofili, Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, të ekstraduar nga Londra për të njëjtin skandal, ndërsa gjyqi i mjekut anglez do të nisë këto ditë, i veçuar nga të pandehurit e mëparshëm.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›