E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjiri i gjeneralit”, përgjimet dhe filmimet lidhën Vatnikajn me abuzuesit

Ish-kreut i AKKP-së iu përgjua telefoni për katër muaj me radhë. Për të dokumentuar lidhjet prokurorët bënë dhe xhirime filmike

Habjon Hasani

Tiranë - Nuk ka asnjë dyshim se Tunxh Vatnikaj, ish-kreu i AKKP-së, është pjesë e përfitimit të jashtëligjshëm të 48 hektarëve tokë bregdetare në “Gjirin e gjeneralit”. Përpos dokumenteve antiligjore të firmosura prej tij, prokurorët kanë mundur të sigurojnë dhe përgjime ligjërisht të pranueshme, të cilat e lidhin Vatnikajn thuajse me të gjithë personazhet e tjerë të përzier në skemën e grabitjes.
Implikimi
Vatnikaj ka pasur kontakt intensiv telefonik me palët e interesuara në procesin e falsifikimit, ndërsa shpeshherë ai ka kërkuar gjatë bisedave dhe “garanci nga rangjet e larta për të vazhduar punën i qetë”. Gjithsesi, prokurorët janë të rezervuar në dhënien e detajeve të tjera lidhur me përmbajtjen e këtyre përgjimeve, megjithatë, konfirmojnë se janë pikërisht këto përgjime që “i vënë vulën” implikimit të qëllimshëm të Vatnikajt në skemën e falsifikimit spektakolar që u krye me 48 hektarët në zonën e “Gjirit të gjeneralit”. Kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ka qenë objekt i hetimit të dosjes “Gjiri i gjeneralit” që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Madje ai është thirrur dhe është pyetur nga prokurorët e çështjes. Bashkë me Vatnikajn u thirrën dhe u pyetën dhe disa vartës të tij, që kishin firmosur shkresat antiligjore, të cilët mësohet se kanë nënshkruar këto dokumente “me urdhër nga lart”.
Dosja
Pak javë më vonë të gjithë punonjësit e pyetur ishin shkarkuar nga detyra. Puna e institucionit të AKKP-së ka qenë më shumë se kurrë në vëmendjen e organit të akuzës këto muajt e fundit. Prej tre muajsh gazeta “Albania” ka informuar lidhur me hetimet që po kryen Prokuroria e Tiranës për disa dosje të abuzimit me pronat që përfshijnë sipërfaqe shumë të mëdha, ndërsa shkeljet dhe abuzimet kanë arritur deri në falsifikimet më arbitrare të dokumenteve zyrtare. Dosja më e nxehtë aktualisht është dosja “Gjiri i gjeneralit”, ku bëhet fjalë për më shumë se 48 hektarë tokë shtetërore (ish-bazë ushtarake), që nëpërmjet një procesi të dyshuar si i falsifikuar i ka kaluar një familjeje të vetme, duke ia “kthyer” këtë pronë nëpërmjet një trashëgimie të pretenduar me dokumente të dyshuara si false. Hetimi i prokurorit të çështjes është ezauruar, ndërsa dosja është në zyrën e kryeprokurorit të Tiranës, Genti Xholi, ndërsa dijeni të plotë mbi këtë dosje të rëndësishme ka dhe Prokuroria e Përgjithshme. Kjo dosje implikon zyrtarë të AKKP-së, si dhe disa biznesmenë dhe juristë që lidhen me këtë histori.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›