E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi zgjedhor, Kartat e identitetit dhe Kafshata e varfërisë



Nga Roland Çelmeta

“Çdo shtet është një lloj komuniteti, dhe çdo komunitet krijohet duke u bazuar tek një e mirë: sepse njerëzit veprojnë gjithmonë për të arritur atë që mendojnë se është e mirë, shteti ose komuniteti politik, i cili qëndron mbi gjithë të tjerët dhe që i përfshin të gjithë, synon të mirë në një shkallë më të lartë se çdokush tjetër, si dhe të mirën më të madhe”. (Aristoteli)
Filozofia kuptimplotë e Aristotelit është kuptuar dhe vënë në zbatim në shumë shtete perëndimore me demokraci të konsoliduar, por jo në Shqipëri. Të paktën deri tani. Në këtë vend, politika dhe politikanët, shteti dhe individi politikan mendojnë të kundërtën, edhe pse qëndrojnë mbi të tjerët. Nuk mendojnë për të mirën e madhe, por mendojnë për mashtrimin e madh. E, për të vërtetuar këtë, mjafton të analizosh “planet djallëzore” të këtyre politikanëve në lidhje me tre elemente të rëndësishme të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, që do t’i quaja 3 “K”-të dhe që janë: Kodi Zgjedhor, Kartat e identitetit dhe Kafshata e varfërisë.

Jo pa qëllim dy nga shumë politikanë të trashëguar nga sistemi komunist përpilojnë e formatojnë kodin me absurd të jetës politike pluraliste në Shqipëri. Pikërisht këta politikanë të vjetër, si Islami e Xhafaj, herë njëri e herë tjetri, në bashkëpunim me Rusmalin, të urdhëruar nga shefat e tyre, gatuan Kodin famëkeq dhe antidemokratik. Një kod i votuar në Parlament nga deputetë të PS-së e të PD-së, të cilët janë kthyer në robër të kryetarëve të tyre, ndërmjet listave të mbyllura. E gjitha kjo u bë jo për të mirën e madhe, por për mashtrimin e madh, që tenton sërish të godasë parimin e votës së shenjtë dhe të lirë. Një kod i tillë shpreh pikërisht frikën e këtyre dy partive të vjetra ndaj një force të re energjike dhe me potenciale të fuqishme si Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ndryshe nga PS-ja e PD-ja, me filozofinë dhe lidershipin e saj ka dhënë prova se është një parti që mendon për të mirën e madhe.
Hartuesit dhe votuesit e këtij kodi bëjnë “be e rrufe” se ky kod do të jetë garanti i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Mashtrim! Si mund të quhet i tillë ky kod që cenon procesin e administrimit të zgjedhjeve, që nuk garanton proces të ndershëm të numërimit të votave, që mbi të gjitha prodhon sërish Dushk? Këto dy forca të vjetra, të udhëhequra nga dëshira e frenuar e grabitjes së votave, do të tentojnë që me anë të këtij kodi të mashtrojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët se do të realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ta harrojnë!! LSI-ja nuk do të lejojë prekjen qoftë edhe të një vote të vetme të saj, por do të demaskojë dhe denoncojë fuqishëm çdo tentativë të këtyre dy forcave të vjetra, për të manipuluar procesin zgjedhor dhe votën e lirë të shqiptarëve.

Le të vijojmë me K-në e dytë: Kartat e identitetit. “Në ligjërimin e përligjjes së pushteteve politike, pavarësisht nga fakti se bëhet fjalë për propagandën, ideologjinë, mendimin filozofik që i bëjnë ato të kuptueshme etj…, veprohet sipas tipave të ndryshëm identifikimi. Konceptet politike dhe kategoritë filozofike ndërtohen duke iu nënshtruar një arkitekture të caktuar, që përbën, tek e fundit, një sistem të veçantë identifikimi”. (Shtigje drejt guvës së gjarprit). Nisur nga ky këndvështrim vërejmë që dhe procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit ka kaluar në një arkitekturë ideimi, realizimi dhe shpërndarjeje pikërisht në momentet e muajve elektoralë. Me anë të këtij procesi qeveria kërkon të përligjë arritje standardesh, pavarësisht faktit se kjo është një propagandë pa mendim filozofik, gjë që e bën të pakuptueshëm këtë veprim. Mendoj dhe them kështu për të vetmen arsye, se ky proces duhej të kish përfunduar me kohë, e jo të niste këto muaj. Dhe elementi i dytë K, pra Kartat e identitetit, me anë të të cilave do të votojnë shumica e shqiptarëve në zgjedhje, sigurisht që nuk do t’i shpëtonin hiles së madhe, të ideuar djallëzisht nga arkitektët e Kodit Zgjedhor. Ndërsa ky kod duhet të ishte hartuar të paktën që në legjislaturën e kaluar, pra në periudhën qershor-korrik 2008, zvarritja e vazhdueshme për miratimin e tij fshihte gjithashtu planet për vonesat në shpërndarjen e kartave të identitetit. Ashtu edhe siç po ndodh aktualisht, ku ende asnjë shqiptar nuk figuron të jetë pajisur me këto karta. Rrëmuja e vënë re që në ditën e parë të aplikimit për pajisjen me këtë kartë, është një nga tiparet kryesore të këtij procesi. Nga ana tjetër, me anë të këtij procesi do të seleksionohen simpatizantët elektoralë në bazë të preferencave votuese. Nisur nga ky fakt, në bazë ka filluar evidentimi i anëtarësisë partiake nga PD-ja dhe PS-ja, por në një kolonë më vete evidentohen dhe anëtarët e partive kundërshtare në jetën politike. Kuptohet qartë që mbas evidentimit lehtësira për pajisjen me karta do ta kenë militantët respektivë të këtyre dy forcave të vjetra.

Çmimi i kartës, aspak i favorshëm për shumicën e familjeve shqiptare si dhe mundësia për t’u pajisur me to është elementi që të çon te plotësimi i Kodit “3K”. K-ja e tretë është KAFSHATA për bukën e gojës, që e vuajnë mijëra familje shqiptare dhe që do të tentojnë të spekulojnë dhe të shfrytëzojnë partitë e vjetra, PS dhe PD. Zyrtarët e këtyre partive kanë filluar të evidentojnë votuesit nën nevojë për t’i bërë pjesë të kontingjentit, që do t’u dhurohen kartat e identitetit falas, në rast se do të votojnë për këto parti. Për mijërat e shqiptarëve, të cilët kërcënohen me sanksione nëse nuk marrin kartat e identitetit, partitë në fjalë po mendojnë t’u heqin “shpenzimet”, me qëllim kërkimin e votave të tyre. Nëse deri dje janë përdorur thasët e miellit për një votë, sot do të jetë më i moderuar kleringu: “Një votë - një kartë”. Nuk do të ketë më kamionë me miell në zonat elektorale, por do të ketë vetëm zarfe me kartat e identitetit. Zarfet do të jenë ca të kuq e ca blu. Pikërisht pra 3 K-të e këtij kodi famëkeq janë shprehje e qëllimit për manipulimin e zgjedhjeve, për të siguruar mbijetesën e këtyre dy forcave të vjetra politike, që vetëm me politikë nuk merren e për më tepër kanë qenë shkaktaret dhe përgjegjëset kryesore të varfërimit të shqiptarëve. Por po aq të qarta janë këto qëllime, aq i qartë do të jetë edhe fakti se këto dy parti do të dështojnë në këtë drejtim. Populli shqiptar tashmë e di shumë mirë se çfarë përfaqësojnë këto parti dhe do t’i ndëshkojë ato, ashtu siç bëri edhe në zgjedhjet lokale, ku PS-ja e PD-ja, të dyja së bashku, nuk arritën të merrnin më shumë se 50% të votave.

-

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›