Zhvlerësohet monedha vendase leku, euro dhe dollari nisin rritjen
Leku është zhvlerësuar ndjeshëm dje ndaj dy monedhave kryesore, euros dhe dollarit. Kambistët thanë se luhatjet e kësaj dite ishin mjaft të shpeshta. Kursi i këmbimit ka qenë i paekuilibruar deri në mesditë, derisa kapi vlerën më të lartë të këtyre viteve të fundit. Zhvlerësimi i lekut ka nisur që prej fillimit të këtij viti, duke u dobësuar në mënyrë konstante ndaj euros dhe dollarit. Por vlera e arritur dje e lekut ndaj euros ka qenë ndër të rrallat, që prej futjes së kësaj monedhe në qarkullim. Atëherë euro është kuotuar me mbi 130 lekë dhe më pas pak herë ka kapur vlerën mbi 125. Bankierët mendojnë se kjo lidhet me një serë shkaqesh. Disa thonë se dobësimi i lekut ndaj euros lidhet me mungesën e kësaj valute në treg, si pasojë e rënies së dërgesave të emigrantëve ndërkohë që edhe kërkesa për euro e dollarë në tregun e brendshëm vazhdon të mbetet e lartë. Të tjerë bankierë thanë se luhatjet e ditës së djeshme ishin shkaktuar pjesërisht edhe nga vendimi i Bankës Qendrore për të ulur normën bazë të interesit të lekut me 0.5 pikë përqindje. Zhvlerësimi i lekut ndaj euros dhe dollarit do të rrisë për qytetarët kostot e kredive në këto dy monedha. Të dhënat tregojnë se kredia në valutë përbën 75 për qind të totalit. Ndaj zhvlerësimi i lekut në këto rrethana prek një numër të lartë kredimarrësish, pasi për të shlyer këstet mujore ata duhet të fillojnë të paguajnë më shumë lekë.
Borxhi i jashtëm, ratifikohet marrëveshja me Bankën e Greqisë
Kuvendi miratoi dje projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës së Greqisë". Marrëveshja, e cila bën fjalë për shlyerjen e borxhit të jashtëm të trashëguar të Shqipërisë kundrejt Bankës Greke, u nënshkrua në muajin dhjetor të vitit 2008. Ky borxh i trashëguar rrjedh nga marrëveshja ndërmjet Bankës së Shtetit Shqiptar dhe Bankës së Greqisë e vitit 1987 dhe arrin në 7.574.550,97 dollarë. Në dispozitat e marrëveshjes parashikohet që shlyerja e borxhit, i cili përbëhet nga principali 3.012.955,91 dollarë dhe interesat 4.561.595,06 dollarë, të paguhet me 10 këste.
Inflacioni, BSH-ja përpiqet ta mbajë brenda normave të parashikuara
Me gjithë presionet inflacioniste të vëna re gjatë fillimit të vitit 2008, kryesisht si rezultat i goditjes së faktorëve të ofertës, inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit u kthye brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të vitit. Burime nga BSH-ja bënë të ditur se në këtë periudhë të vitit inflacioni vjetor shënoi vlera pranë objektivit të BSH-së, përkatësisht 3.0 për qind dhe 2.5 për qind, në secilin tremujor. Rikthimi i inflacionit brenda bandës së synuar nga Banka e Shqipërisë u kushtëzua jo vetëm nga qetësimi i goditjeve të ofertës, por edhe nga kushtet e përshtatshme monetare që kanë mundësuar balancimin e faktorëve të kërkesës dhe ofertës.
30 Janar 2009