E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti i Starovës, në Disiplinë

 

Goditja me sende të forta e trajnerit Sulejman Starova në ndeshjen Bylis-Teuta 2-0, mund t’i kushtojë një ndëshkim të ashpër klubit ballshiot. Trajneri i Teutës nuk ka bërë asnjë ankesë zyrtare në Federatë, por pamjet filmike tregojnë qartë se Starova është goditur në kokë dhe kjo përbën një precedent të rrezikshëm. Shefi i sektorit të garave në FSHF nuk e ka përjashtuar mundësinë që ndaj Bylisit të merren masa për këtë çështje, por nuk ka dashur të japë deklarata të nxituara. “Nuk i kam parë pamjet filmike dhe nuk e di realisht se çfarë ka ndodhur. Do ta shikoj me kujdes këtë çështje dhe nëse do të vërtetohet se janë shkelur rregullat disiplinore, atëherë të gjitha materialet që do të kem në dispozicion, do t’ia paraqes Komisionit të Disiplinës”, ka thënë Shulku për “Panorama Sport”. Ai ka konfirmuar gjithashtu se, deri ditën e djeshme në Federatë nuk ka mbërritur asnjë ankesë me shkrim nga trajneri i Teutës, Sulejman Starova, për incidentin që ka ndodhur në ndeshjen e së dielës. Në pamjet filmike të transmetuara në televizione të ndryshme dukej qartë që trajneri është goditur me sende të forta, madje ai ka reaguar ashpër ndaj tifozëve vendës për këtë gjest.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›