Grupi i 28-të Detar i Marinës Ushtarake Italiane mbyll misionin në Portin e Durrës
Durrës – Nesër, më datë 25 shkurt 2009, në orën 10:30, në kalatën nr. 5 të Portit Detar të Durrësit në bordin e Njësisë Detare Luftarake për Zbarkim Trupash “San Giorgio” të Marinës Ushtarake Italiane do të zhvillohet ceremonia e mbylljes së Grupit të 28-të Detar, që pas rreth 12 vjetësh nga krijimi, do të përfundojë më 28 shkurt 2009 misionin e vet në Shqipëri. Në ceremoni do të marrin pjesë autoritete të larta politiko-ushtarake italiane dhe shqiptare. Të pranishëm për palën italiane do të jenë: zëvendësministri i Mbrojtjes, Xhuzepe Kosiga, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Detare Italiane, admiral skuadre, Paolo la Rosa dhe shefi i Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri, gjen. brig. Aldo Pikoti. Për palën shqiptare do të jenë të pranishëm: ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjen. brig. Maksim Malaj. Grupi i 28-të Detar, i vendosur në varësi të Delegacionit Italian të Ekspertëve në shkurt të vitit 2007, u krijua më 25 prill 1997 në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe të ndërmarra ndërmjet qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare dhe ishte ndër komandat e para ushtarake italiane që zhvilloi aktivitete operacionale në territorin shqiptar nëpërmjet patrullimit të përditshëm të ujerave të brendshme dhe territoriale me qëllim që të sigurojë në koordinim me organizmat kompetente vendore, zhvillimin e një shërbimi vëzhgimi për të parashikuar dhe parandaluar fenomenin e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Italisë. Në 12 vjet prani aktive në Shqipëri, Grupi i 28-të Detar ka kryer gjithashtu funksione të tjera të rëndësishme, siç janë: shpëtimi i jetës së njerëzve në det (SAR), aktivitetet shëndetësore dhe dhënia e ndihmës së parë për popullsinë shqiptare, asistencë në transportin e ndihmave humanitare për popullsinë shqiptare dhe mjete e materiale të dhuruara për qeverinë shqiptare, heqja e skafeve të mbytur dhe e relikteve të pranishme në ujerat e ishullit të Sazanit, drejtimi i matjeve hidrografike të fundit të detit në porte dhe bregdetit pranë Gjirit të Vlorës, pastrimi nga eksplozivet dhe materiale të tjera shpërthyese.
24 Shkurt 2009