Seanca plenare, thellohet debati maxhorancë-opozitë për hetimin e zgjedhjeve
Debati për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit vazhdon të thellohet duke mos gjetur një zgjidhje nga dy forcat politike. Opozita ka marrë pjesë dje në seancën plenare, por vetëm në 60 minutat e diskutimit të lirë, ku me vendosmërinë e kahershme ka kërkuar kontributin e maxhorancës për të hetuar zgjedhjet e kaluara.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u shpreh se kryeministri Sali Berisha vjen për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik, dhe jo të kontribuojë dhe të shprehë një vullnet të mirë për krizën politike dhe ekonomike. Kreu i Grupit socialist i është drejtuar shefit të Ekzekutivit që në vend që të shikojë krizën politike, përsëri hedh shashkat e radhës dhe bën demagogjinë e radhës.
Nga ana tjetër, duke iu referuar krizës aktuale lidhur me kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, kryeministri Sali Berisha është shprehur në Kuvend se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë më as kuti, as komisionarë, as fletë votimi, por do të ketë votim elektronik.
Ruçi
Shefi i Grupit Parlamentar socialist i është kundërpërgjigjur me ironi propozimit të kryeministrit Berisha për votimin e ri në zgjedhjet e ardhshme. “Mos harroni se jeni kryeministër i ’96-s. Ju akuzuam drejtpërdrejt për 2009-n. Pasi i vodhe zgjedhjet me turp në ’96-n, me karta elektronike në 2009-n, tani të ka ngelur të vjedhësh dhe me votim elektronik. Shqiptarët duan zgjidhjen e krizës politike dhe nuk je ti që siguron votimin elektronik apo zgjedhje të lira dhe demokratike, por jemi të gjithë bashkë”, - replikoi Ruçi. “Nuk po e dëgjoni opozitën kur flet për krizën. Të paktën mos mashtroni opinionin. Është për të ardhur keq që kryeministri nuk di regjistrin e familjeve. Janë 752 familje, dhe jo 826, siç thotë kryeministri. Eksporti në 2010-n është aq sa ishte në 2008-n, importet për makineritë janë 25% më poshtë, inflacioni është 3.9 deri në 4.4, çmimet janë 30% më të shtrenjta. Energjia dy herë më e lartë”, - u shpreh Ruçi duke iu drejtuar kryeministrit Berisha. Ai shtoi: “Iu premtove që do të rimbursoje dhe u dhe vetëm 140 lekë, ose e barabartë me një llambë elektrike”.
Berisha
“Do t’ju nxjerr unë nga kutia. Në zgjedhjet e ardhshme s’do të ketë më as kuti, as komisione, as fletë votimi. Keni frikë nga teknologjia. Mos u tregoni prehistorikë. S’ka më komisionerë, ka vetëm votim me gjurmën e gishtit, të bazuar në ID. S’do të ketë me fletë votimi, do të ketë ekrane, jo fletë votimi. S’do të ketë më kuti me fletë votimi. Ju do të keni prape stilografë për të filmuar, se do t’ju jap dhe bateri bile. Ju garantoj që ju ndryshoni statutet, unë procedurat e votimit; ju ndryshoni statute, unë do t’ju dixhitalizoj votimin. Dhe pastaj çfarë do t’ju mbetet? Jepini fund persekutimit që u bëni 20 mijë burrave dhe grave të pafajshëm të partisë suaj. Merruni me Sali Berishën, me kritika ndaj qeverisë. Ky është problemi. Do të mbeteni, siç thotë Noli, si kofini pas të vjelit. Dje keni stimuluar humbjen. T’ju rojë lideri, por humbjen e keni të sigurt”, - deklaroi kryeministri. Berisha gjatë fjalës së tij u ndal edhe te “mrekullia ekonomike”. Ai bëri të ditur se edhe këtë vit do të ketë rritje pagash e pensionesh. Duke bërë analizën e treguesve ekonomikë të tremujorit të parë të vitit 2010, Berisha tha se janë pikërisht këta tregues që i japin qeverisë shqiptare këtë mundësi. Shefi i qeverisë tha se ky ishte një dimër i rëndë për Europën dhe Shqipërinë, por ekonomia shqiptare paraqitet shpresëdhënëse dhe dinamike.
Xhaferri: “Qeveria nuk synon të pengojë Bashkinë, por ta ndalojë atë në shkeljen e ligjeve”
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, ka sjellë në vëmendje të deputetëve çështjen e sheshit "Skënderbej" duke publikuar edhe njëherë fakte për punimet jolegjitime të Bashkisë së Tiranës. Xhaferri ka deklaruar se qeveria nuk synon të pengojë Bashkinë, por ta ndalojë atë në shkeljen e ligjeve. “Nuk ka pasur tendencë për të penguar Bashkinë. Këshilli Kombëtar i Restaurimeve është mbledhur dhe ka vendosur t’i bëjë disa modifikime projektit”, - ka pohuar Xhaferri. Duke theksuar se debati për sheshin vijon që prej vitit 2008, ministri ka nënvizuar se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, po shkel ligjet e miratuara nga ai vetë kur ka qenë ministër i Kulturës. “Bashkia po vepron në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye ne kemi bllokuar procedurat”, - ka shtuar Xhaferri. Sipas tij, Instituti i Monumenteve të Kulturës i ka kërkuar Ramës të njihet me kufizimet e kërkuara, ku i ka thënë të dorëzojë të tria kopjet përfundimtare të projektit. “Ta vulosim dhe ta firmosim projektin dhe një kopje t’i dorëzohet projektit të Tiranës”, - tha Xhaferri, duke nënvizuar se “ne jemi shumë të kënaqur që Rama po mendon për sheshin ‘Skëndërbej’”.
Ndërsa nga ana tjetër, deputeti socialist, Blendi Klosi, nuk ka qëndruar pa e replikuar ministrin e Kulturës. “Ministri Xhaferri, ashtu si dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, nuk dha një mënyrë për zhbllokimin e situatës. E vetmja politikë e juaja është si të pengoni opozitën”, - tha Klosi.
Klosi: “Opozita do të zhvillojë 30 protesta deri më 30 prill kundër qeverisë”
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij në Kuvend është ndalur te transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai deklaroi se opozita do të zhvillojë 30 protesta deri më 30 prill kundër qeverisë “Berisha”. “Dje, në zonën e ish-Kënetës, PS-ja ka protestuar. Është një zonë që PD-ja e quan bastion, por që jeton në një mjerim të pakrahasueshëm. Dje në ish-Kënetë, mijëra protestues iu përgjigjën thirrjes së opozitës për të kundërshtuar varfërinë”, - është shprehur Klosi. Ai nënvizoi se kjo transparencë është kundër mjerimit, pabarazisë dhe se opozita do të protestojë kundër këtij kryeministri të papërgjegjshëm, kundër varfërisë, kundër papunësisë. “Ju, zoti Berisha, talleni me shqiptarët. I vetmi entuziazëm sot është për të protestuar kundër jush. Nëse ka një shoqëri entuziaste, është ajo për të organizuar mitingun e radhës”, - tha Klosi, duke iu drejtuar kryeministrit Berisha: “Pushteti juaj nuk varet nga vota e popullit, por nga vota e vjedhur. Ka ardhur koha që si do të dilni nga kjo histori, si do të ikni nga kjo politikë”.
9 Prill 2010