E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, atentat biznesmenit

 

Etleva Delia    

Një biznesmen nga Tirana i ka shpëtuar për mrekulli një atentati me pistoletë, teksa kthehej për në shtëpi mesnatën e të shtunës. Një person ende i panjohur ka qëlluar një herë me pistoletë në drejtim të Roland Vasjarit, 49 vjeç, duke tentuar ta vrasë, por fatmirësisht plumbi ka kapur pjesën e murit. Ngjarja ka ndodhur disa minuta pas mesnate në rrugën “Muhamet Gjollesha”, përballë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në kryeqytet. Biznesmeni Vasjari sapo ka zbritur nga makina dhe është drejtuar për nga hyrja e pallatit, ku banonte është gjendur përballë një personi, i cili i ka drejtuar pistoletën dhe e ka qëlluar. Plumbi i vetëm i dalë nga pistoleta e atentatorit është ngulur në murin e hyrjes së pallatit, pa e prekur 49-vjeçarin. Ndërkohë, duke qenë se personi i armatosur ka qenë në distancë dhe në errësirë, Vasjari nuk ka arritur që ta njohë apo të fiksojë ndonjë detaj të rëndësishëm për policisë. Burime nga policia pohuan se menjëherë pas ngjarjes Vasjari ka njoftuar në sallën operative dhe disa oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Edhe pse janë kryer disa patrullime dhe kontrolle në zonat përreth vendit të ngjarjes, atentatori ende nuk është identifikuar nga policia.
DËSHMIA E BIZNESMENIT
Pasi janë kryer të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes, ku është sekuestruar një gëzhojë pistolete, oficerët e policisë kanë marrë në pyetje biznesmenin Roland Vasjari. Ai ka treguar se ka qenë duke u kthyer nga dyqanet e tij që ka në rrugën “Muhamet Gjollesha” rreth orës 24:00. Sapo ka parkuar makinën, në parkingun para pallatit të tij, që ndodhet përballë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë, Vasjari ka zbritur dhe është drejtuar nga hyrja e pallatit. Në një distancë prej disa metrash ai ka parë një person, që sipas tij dukej vetëm si hije për shkak të errësirës, i cili i ka drejtuar pistoletën. Brenda pak sekondash ka dëgjuar një krismë arme, por fatmirësisht plumbi i nisur drejt tij, nuk ka kapur në shenjë, por është ngulur në murin e pallatit. Menjëherë pas të shtënës, 49-vjeçari Vasjari, ka parë personin që e kishte qëlluar duke ikur me vrap dhe nuk ka arritur të fiksojë asnjë detaj të tij, që mund të ishte e vlefshme për policinë. Ndërkohë, burime nga policia thanë se deklarimet e tij kanë qenë herë pas herë kontradiktore, pasi në disa raste ai shprehej se kanë tentuar ta vrasin edhe herë të tjera, ndërkohë më pas thoshte që nuk ka probleme apo konflikte me njeri. Deri në orët e vona të mbrëmshme, policia nuk ka mundur të identifikojë autorin e atentatit.

Policia: Dha dëshmi kontradiktore
Në bazë të deklarimeve që biznesmeni Roland Vasjari ka dhënë për oficerët e policisë, mësohet se ka qenë vetëm një person që ka tentuar ta vrasë me pistoletë dhe më pas është larguar me shpejtësi. Si mësohet se ka deklaruar se edhe herë të tjera ka qenë në shënjestër të atentatorëve, por më pas ai ka tentuar ta mohojë dhe ta hedhë poshtë këtë fakt. Dëshmia e tij sipas policisë ka qenë kontradiktore, pasi më vonë ai është shprehur se nuk ka konflikt me asnjë person.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›