Durrës, alarm për bombë në qendrën tregtare
Telefonatë e rreme për vendosjen e një bombe, nisin hetimet për gjetjen e telefonuesit. Një telefonatë e bërë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit ka ngritur në këmbë specialistët e skuadrës antieksploziv për të shmangur një tragjedi që mund të ndodhte në ambientet e një prej qendrave tregtare më të frekuentuara të qytetit bregdetar. Ditën e diel, nga një numër ende i paidentifikuar, është bërë një telefonatë në numrin e gatshëm 129 të sallës operative të policisë dhe personi ka sinjalizuar përmes telefonit për vendosjen e një bombe në qendrën tregtare “Blu Star”, në lagjen numër 4 të Durrësit. Sipas telefonuesit, bomba ishte e komanduar dhe duhej të shpërthente dje, në orën 20:00 të mbrëmjes. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se menjëherë pas informacionit të marrë u shkua në vendngjarje, ku u kryen një sërë veprimesh për kontrollin e zonës, si dhe veprimet procedurale të nevojshme. Nga kontrolli i kryer në ambientet e brendshme e të jashtme të kësaj qendre tregtare nuk u konstatua prania e asnjë lloji lënde plasëse, ndërsa vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të saj. Materialet e para hetimore të përgatitura nga policia janë për veprën penale të njoftimit të rremë në organet e rendit dhe i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit për hetime të mëtejshme. Lidhur me ngjarjen, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës reagoi përmes komunikimit për shtyp, duke i kujtuar komunitetit se njoftimet e rreme të bëra në organet e rendit për kryerjen e një vepre penale, për t’i vënë ato në gjendje gatishmërie dhe alarmi, sanksionohen penalisht nga Kodi Penal. Në bazë të tij parashikohet dënimi me gjobë apo burgim deri në një vit. Edhe disa vite më parë, kjo qendër tregtare u bë objekt i kontrollit të imtësishëm nga specialistët e policisë, pasi u lajmërua për vendosjen e një sasie eksplozivi gati për të shpërthyer në ambientet e saj. Ndërkaq, verën e kaluar, një tjetër lajm i tillë që përhap panik përfshiu një prej lokaleve të plazhit. Për të dyja rastet dyshohet se është bërë shkak konkurrenca mes subjekteve tregtare dhe përcjellja e imazhit të pasigurisë te klientët.
#