E Diel, 1 Nëntor 2026

I sëmuri mendor, plagos me thikë fqinjët

Policia ndalon 30-vjeçarin. Të moshuarit jashtë rrezikut për jetën

Një i sëmurë mendor për pak i ka marrë jetën një çifti të moshuar, në fshatin Barç të Rrethit të Korçës. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se agresori 30-vjeçar ka tentuar të vrasë me thikë fqinjët e tij, të cilët jetonin të vetmuar. Të njëjtat burime konfirmojnë se agresori tashmë ka rënë në prangat e policisë, ndërkohë që të moshuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Mesditën e së dielës 30-vjeçari Shkëlzen Zeneli, me një thikë në dorë ka hyrë në oborrin e shtëpisë së familjes Gernjoti në fshatin Barç të Korçës. Pa asnjë shkak, ai është afruar tinëz dhe ka sulmuar çiftin e bashkëshortëve të moshuar, të cilët jetonin vetëm. Nga hetimet e policisë për këtë ngjarje, rezulton se 30-vjeçari nuk ka shfaqur asnjë arsye dhe nuk ka pasur asnjë motiv për të sulmuar me thikë çiftin e bashkëshortëve të moshuar. Sipas hetimeve paraprake 30-vjeçari herë pas here ka shfaqur shenja të çrregullimit mendor dhe ky mendohet të jetë shkaku që e ka çuar të sulmojë dhe plagosë pa ndonjë motiv dy fqinjët e tij. Mësohet se bashkëshortët Gernjoti kanë përfunduar në spitalin e Korçës. Pas trajtimit mjekësor, ata ndodhen jashtë çdo rreziku për jetën. Megjithatë ata do të mbahen për disa ditë nën mbikëqyrje mjekësore. Ndërkohë, burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se agresori është prangosur disa minuta pas ngjarjes. Ndaj autorit të plagosjes së dyfishtë rëndon akuza e “vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”. Uniformat blu, pas mbërritjes në vendngjarje, kanë mundur të sigurojnë në cilësinë e provës edhe thikën me të cilën Zeneli plagosi dy fqinjët e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›