E plagosura e Gërdecit nuk e fal Mediun
E plagosura e tragjedisë së Gërdecit, Alketa Hazizaj, nuk ka pranuar ta falë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për plagët që ka marrë në trup, duke preferuar që Gjykata e Lartë të zhvillojë procesin dhe t’i kërkojë Parlamentit heqjen e imunitetit. Dje ishte caktuar seanca e radhës me paditës Alketa Hazizaj dhe i paditur, deputeti Fatmir Mediu.
Në fillim të seancës gjyqësore, trupi gjykues i bëri me dije palëve në proces se kanë të drejtë të “pajtohen”, nëse gjejnë një rrugëzgjidhje. Në të kundërt, procesi do të vijojë normalisht me paraqitjen e provave. Kërkesa për “pajtim” është parashtruar nga avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndërsa pala akuzuese, pra avokatët e Alketa Hazizajt dhe vetë e reja nuk kanë pranuar të pajtohen, duke kërkuar me forcë që procesi gjyqësor të vazhdojë.
ProcesiGjykata e Lartë ka analizuar procesin e djeshëm gjyqësor me paditëse Alketa Hazizaj dhe i paditur, Fatmir Mediu, deputet në Parlament. Pasi palët nuk janë pajtuar, ndërsa trupi gjykues është tërhequr për vendim dhe ka vendosur datën 1 mars për seancën e radhës ndaj Mediut.
Tashmë një tjetër proces gjyqësor është hapur ndaj ish-ministrit, sepse procesi i parë është mbyllur po nga kjo gjykatë, pasi personi i akuzuar kishte fituar imunitetin në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas gjykatës, të dyja paditë, ajo e Alketa Hazizajt dhe Roxhers Durdës 12-vjeçar, do të shqyrtohen në një seancë, atë të 1 marsit. Trupi gjykues, në seancën e djeshme të pajtimit, u kryesua nga Andi çeliku, ndërsa në përbërje të tij ishin gjyqtarët Ardian Nuni, Irma Bala, Evgjeni Sinoimieri dhe Evelina Qiriako. Ish-ministri Mediu nuk është paraqitur në seancën e djeshme, e cila nisi rreth orës 10:00, ndërsa u përfaqësua nga dy avokatët mbrojtës, Petrit Serjani dhe Ardian Visha.
Seanca e djeshme pajtimore pasoi atë të 26 janarit, ditë në të cilën i ati i 12-vjeçarit Roxhers Durda ka refuzuar ndjesën e Mediut, duke kërkuar që të përballet në Gjykatën e Lartë, organ i cili pak muaj më parë pushoi dosjen penale ndaj tij. Në seancën e kaluar, Mediu u shpreh se ndiente përgjegjësi morale për shpërthimin e 15 marsit, por ka refuzuar të ketë përgjegjësi penale për ngjarjen e rëndë, duke e cilësuar veten si fajtor moralisht. Ai i ka kërkuar ndjesë 12-vjeçarit, i cili në tragjedinë e 15 marsit humbi të ëmën, ndërsa vetë mbeti i plagosur. Roxhers Durda dhe Alketa Hizizaj akuzojnë Mediun, për “plagosje të rëndë nga pakujdesia”.
Gjykata e Lartë i ka kërkuar avokatëve të familjeve të dëmtuara nga shpërthimi në Gërdec, këtë herë si palë paditëse, të sjellin në seancën e radhës, në datën 1 mars, provat ku bazohen për akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia, të ngritur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes.
Gjykata e Lartë vendosi pas një ore konsultimi t’i bashkojë të dyja paditë e familjeve Hazizaj dhe Durda, në një proces të vetëm gjyqësor, për shkak se edhe akuzat që kanë ngritur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes janë të njëjta. “Gjykata i kërkoi mbrojtjes së dy familjeve, që e kanë akuzuar Fatmir Mediun, të sjellin provat konkrete, të cilat bazojnë padinë e ngritur për plagosje”, thanë burimet brenda seancës, të cilat shtuan se kanë qenë paditësit ata që kërkuan kohë të mjaftueshme për t’i grumbulluar të gjitha këto prova, që do t’i përfaqësojnë në seancën e 1 marsit.
Ndërkohë, mbrojtja e ish-ministrit ka deklaruar se akuza e ngritur ndaj klientit të tyre nuk qëndron për shkak se edhe prokuroria që hetoi këtë ngjarje, nuk e akuzoi për plagosje të rëndë Mediun, por vetëm për shpërdorim detyre.
#