E Diel, 1 Nëntor 2026

Monstra i Librazhdit pranon katër vrasje

Ka vrarë gruan, njerkun, nënën dhe mësuesin e fshatit. Mbetet ende i paprovuar incesti

Monstra i Prevallës pranon autorësinë e katër vrasjeve. Krimi i dyfishtë brenda familjes ka zbuluar serinë e vrasjeve të 55-vjeçarit Haki Miska, nga fshati Prevallë i Komunës së Lunikut në Rrethin e Librazhdit.

Historia e vrasjeve që u mbyll më datën 4 shkurt të këtij viti, kur Miska i mori jetën nënës së tij 75-vjeçare, i ka rrënjët shumë vjet më parë.

Miska ka pranuar se në prill të vitit 1994 ka vrarë ish-bashkëshorten e tij, Mimoza Miska, në atë kohë 32 vjeçe, për arsye xhelozie. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, vrasësi ka dhënë detaje si e ka torturuar dhe më pas vrarë me mjete të forta nënën e fëmijëve të tij. Ai ka treguar se pas vrasjes, e ka groposur Mimozën në një parcelë toke pranë shtëpisë së tij në vendin e quajtur, “Lugu i Miskut”, në pronësi të tij. Më pas autori e ka denoncuar si të humbur ish-gruan dhe emri i saj ka figuruar si e larguar nga banesa në listat e kërkimit të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Dje pasdite, Haki Miska u ka treguar uniformave blu që e shoqëronin, vendin ku vite më parë kishte groposur trupin e së shoqes. Specialistët kanë hapur gropën dhe kanë gjetur kufomën, e cila do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.

Kjo ka qenë vrasja e parë e Miskës, e cila është pasuar nga dy të tjera. 55-vjeçari ka pranuar se në datën 7 korrik të vitit 1995 ka vrarë Gani Brukun, ish-njerkun e tij. Gjithmonë, sipas deponimeve të autorit të krimit, pasi e ka torturuar dhe vrarë me një kazmë, ai e ka treguar ngjarjen si aksidentale. Mësohet se për këtë vrasje ai ka bashkëpunuar për fshehjen dhe kryerjen e krimit me Dije Brukun, nënën e tij. Ata kanë deklaruar në polici se Gani Bruku ka rënë nga lartësia e një peme dhe ka gjetur vdekjen. Sipas policisë, vrasja e radhës ka ndodhur për konflikte pronësie.

Por seriali i vrasjeve nuk mbyllet me kaq. Një muaj më pas, në datën 18 gusht të vitit 1995, ai ka vrarë Qamil Llukën, lindur e banues në fshatin Funarëz, Komuna Orenjë e Rrethit të Librazhdit. Pasi e ka torturuar, ai e ka hedhur viktimën nga maja e një shkëmbi që ndodhet në krye të fshatit, në vendin e quajtur “Shkalla e kuqe”, ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Kjo ngjarje është evidentuar në skedat e policisë së asaj kohe si vdekje aksidentale, për shkak se viktima njihej si përdorues i rregullt i pijeve alkoolike. Mësohet se viktima ishte mësues në zonën ku ndodhi ngjarja dhe sipas policisë, vrasja ka ndodhur për motive xhelozie. Miska dyshonte se mësuesi kishte lidhje jashtëmartesore me ish-gruan e tij, Mimozën.

Policia e Elbasanit konfirmon se për të gjitha ngjarjet e sipërpërmendura, autori ka pranuar autorësinë dhe nga sektorët e kriminalistikës në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Elbasanit, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjeve për të cilat Haki Miska ka pranuar autorësinë. Ndërkohë 55-vjeçari po hetohet edhe për krime të tjera, duke filluar nga incesti i paprovuar dhe tentativa të tjera vrasjesh në fshatin e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›