E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e doganierëve grekë, kaos në pikat kufitare

Dyndje njerëzish në Kakavijë e Kapshticë, për të shmangur ditët kur kalimi do të jetë i pamundur

Një ditë para fillimit të grevës së paralajmëruar nga doganat greke nisin radhët në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në vendkalimin kufitar të Kapshticës radhët kanë arritur dje në të paktën dy kilometra. Mjete të shumta janë dyndur në kufi për të kaluar në tokën greke gjatë ditës së hënë, përpara afatit të përcaktuar nga doganierët grekë. Situata në kufi është rënduar nga fluksi i madh i udhëtarëve, ndërsa nga ana e palës greke ritmet e punës dhe procedurat e kalimit kanë qenë të ngadalta, si pasojë e festës fetare të fillimit të kreshmës ortodokse për Pashkët. Edhe pse ka pasur një dyndje të madhe në kufi, nga pala greke është punuar vetëm me dy sportele, të pamjaftueshme për të bërë kalimin dhe regjistrimin e shtetasve shqiptarë. Radhët në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë arritur deri në afërsi të fshatit Kapshticë, ndërsa në radhë kanë qenë të paktën 400 mjete të vogla dhe dhjetë autobusë të linjave. Dyndja e madhe ka bërë që të shtohen edhe shërbimet e qarkullimit rrugor për të disiplinuar lëvizjen e mjeteve, ndërsa brenda territorit doganor janë krijuar katër radhë paralele me mjete në pritje të kalimit drejt shtetit fqinj. Edhe pse nga ana e palës shqiptare janë shtuar sportelet, ka qenë shumë e vështirë për shtetasit në kufi të kalojnë në territorin grek, duke pritur për të paktën katër orë me radhë. E njëjta situatë ka qenë edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Greva e pritshme e doganierëve grekë, ndryshe nga sa pritej, nuk ka frenuar, por përkundrazi ka përshpejtuar lëvizjen në të dyja krahët në kufi. Tregtarët që ndodheshin në territorin grek kanë nxituar të fusin mallrat në territorin shqiptar, ndërsa të tjerët që momenti i grevës së paralajmëruar i ka zënë në territorin shqiptar, kanë nxituar të kalojnë në territorin grek.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›