Çmontimi i municioneve, bashkia kërkon shmangien e ndotjes
Bashkia e Poliçanit kërkon shmangien e nivelit të ndotjes gjatë procesit të çmontimit të municioneve pranë Kombinatit Mekanik. “Nga informacionet që kemi, në repartin ku asgjësohen lëndët plasëse përdoret mazut për djegie, çka shkakton tym dhe ndotje të lartë për qytetin. Gazrat që çlirohen kanë erë të rëndë dhe mund të sjellin pasoja për shëndetin e banorëve. Ne nuk e kemi të qartë nëse zgjidhja e këtij problemi ka qenë e përfshirë në investimet që janë kryer në kombinat, nëse ato kanë dhënë rezultatin e duhur, apo ky problem nuk është trajtuar fare”, shprehet kreu i bashkisë, Adriatik Zotkaj. Ndërkohë ai ka shtuar se u është kërkuar drejtuesve të kombinatit, informacion nëse gjatë procesit të punës, respektohen kushtet e mbrojtjes së mjedisit. Mësohet se Zotka i është drejtuar me anë të një letre drejtorisë së Kombinatit Mekanik, për dijeni edhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mjedisit, si dhe Avokatit të Popullit, ku kërkohet ndërhyrja sa më shpejt për eliminimin e ndotjes.
#