E Diel, 1 Nëntor 2026

Preshevë, gjuha shqipe ndalohet në gjykata

Riza Halimi: Po na diskriminon Beogradi

Riza Halimi, deputet në Parlamentin e Serbisë nga Lugina e Preshevës dhe kryetar i Partisë Shqiptare për Veprim Demokratik, i deklaroi  agjencisë serbe “FoNet” se suprimimi nga Beogradi i gjykatave në Preshevë dhe Bujanovc shkel dhe kërcënon të drejtën e shqiptarëve për të përdorur gjuhën amtare në gjykata, si dhe se centralizimi i sistemit gjyqësor godet në radhë të parë shqiptarët në Preshevë. “Në këtë mënyrë, rrymave radikale u jepet një argument tjetër se përse nuk duhet të bashkëpunohet me organet shtetërore të Serbisë”, vlerësoi z. Halimi, sipas të cilit, duke suprimuar gjykatat në Preshevë dhe Bujanovc, banorët e këtyre zonave duhet të udhëtojnë deri në 120 kilometra për në Vranjë për të marrë edhe shkresën më të zakonshme, gjë që, veç të tjerave, do t’u sjellë atyre shpenzime të mëdha dhe humbje kohe të panevojshme. Z. Halimi gjithashtu vuri në dukje se në administratën e Komunës së Preshevës kohët e fundit janë pushuar nga puna punonjës që komunikonin në gjuhët shqipe e serbe dhe që kishin mbaruar shkollë të lartë, duke u zëvendësuar me serbë pa shkollë përkatëse dhe që kishin dalë si “mbetje teknologjike” në Vranjë dhe Bujanovc. Këta shembuj, vuri në dukje kryetari i Partisë shqiptare për Veprim Demokratik, tregojnë për margjinalizimin e popullsisë shqiptare dhe se autoritetet serbe kërcënojnë në mënyrë drastike të drejtat e saj elementare të njeriut. Kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, nga ana e tij, i deklaroi agjencisë së mësipërme serbe se suprimimi i gjykatave në Preshevë dhe Bujanovc është një arsye për një “shqetësim serioz midis banorëve të tyre”, “U suprimua një institucion që funksiononte në dy gjuhë, nuk u mor aspak parasysh fakti se Komuna e Preshevës ndodhet në një zonë në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë. Këtu ka një qarkullim transit shumë të madh njerëzish dhe shumë më tepër lëndë sesa në gjykatat e komunave të tjera”, tha z. Mustafa. Ai theksoi “sesi do të mund të zgjidhen këto lëndë gjyqësore në kohën e duhur në Gjykatën e Vranjës, kur ndërkohë në këtë të fundit është pakësuar numri i gjyqtarëve dhe është rritur volumi i punës”. Ai vuri në dukje se pikërisht, duke pasur parasysh këtë gjendje, “Kuvendi i Komunës ka kërkuar krijimin e një gjykate themeltare dhe të një prokurorie për Komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe të Medvegjës me seli në Preshevë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›