E Diel, 1 Nëntor 2026

I vidhnin makinat, duke folur me kode në Facebook

Operacioni
Policia e kryeqytetit shkatërron një grup hajdutësh. U gjendën katër mjete

Policia ka shkatërruar një grup, që merrej me vjedhjen e makinave në kryeqytet. Shërbimet e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Heshtja”, bënë të mundur goditjen e këtij grupi kriminal, me tendencë vjedhjet e pasurisë. Falë një pune të mirëfilltë hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i një sërë vjedhjesh të automjeteve të realizuara nga ky grup kriminal, në vende e periudha të ndryshme kohore. Mbajtja nën vëzhgim prej një muaji mundësoi kapjen në kohë të tyre, të cilët dyshohen se për të realizuar më së miri vjedhjet komunikonin me mesazhe dhe përmes postës elektronike në “Yahoo” dhe “Facebook”. Pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve kryesisht të markës “Mercedes Benz”, ata i dërgonin në qytetin e Durrësit me qëllim shitjen e tyre. Kapja e tyre u bë përgjatë orëve të vona të datës 18 janar 2010, në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë, teksa po tentonin të vidhnin një tjetër mjet
Sipas policisë, nga ky operacion përfunduan në pranga Romeo Rakipi, 22 vjeç, i proceduar disa herë për një sërë vjedhjesh në Tiranë, Flamur Matoshi, 22 vjeç, i dënuar disa herë për vjedhje dhe Ardit Ibrahimi, 16 vjeç, i dënuar më parë për “moskallëzim krimi”. Ndërkohë që u shpall në kërkim policor kushëriri i 16-vjeçarit, Indrit Ibrahimi, 26 vjeç. Sipas policisë, atyre u janë dokumentuar shtatë vjedhje, ndërkohë që dyshohen edhe për të tjera. Aktualisht, nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit Nr. 3, bashkë me seksionin përkatës po punojnë intensivisht në drejtim të dokumentimit të tjerave vjedhjeve të automjeteve dhe të banesave, të realizuara nga ky grup kriminal, të realizuar në kohë e vende të ndryshme në Tiranë. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan automjetet me targë TR 5983 J, TR 4691 R, TR 0473 B, TR 6267 E. Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134/2 dhe 25 të Kodit Penal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›