E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet nga maskat një kambist, torturohet bashkë me gruan

PËRRENJAS/ Policia ka hedhur dyshime për kontigjentë të zonës, ndërsa janë shoqëruar në komisariat dhjetëra vetë


PËRRENJAS - Maskat sulmojnë familjen e kambistit në Përrenjas. Dy persona me fytyrë të mbuluar dhe të armatosur keqtrajtojnë gruan dhe godasin me bajonetë vetë kambistin pasi nuk gjetën paratë.


Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes në qytetin e Përrenjasit kur dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e një kambisti dhe pasi kanë hasur në refuzimin për dhënien e parave i kanë goditur me bajonetën e armës dhe me pjesën e fortë të saj duke iu shkaktuar plagë të rënda.


Astrit Rrushi, 49 vjeç, dhe Lirika Rrushi, 42 vjeçe, janë dërguar nga fqinjët fillimisht në spitalin e Përrenjasit dhe më pas për shkak të gjendjes tepër të rënduar janë nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.


Dy autorët kanë përfituar nga errësira për t'u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Deri vonë në mbrëmje nuk kishte të dhëna për përdorimin e një mjeti për arratisjen e tyre. Policia është lajmëruar nga fqinjët pasi është zbuluar ngjarja.


Me të mbërritur një ekip hetimor ka grumbulluar provat e lëna në vendin e ngjarjes ndërkohë që janë shoqëruar me dhjetëra të rinj nga agjentët në komisariatin e Librazhdit.


Ata janë duke u marrë në pyetje mbi vendndodhjen e tyre në kohën kur ndodhi krimi. Hetimet e para të çojnë në kontigjentë të zones, të cilët kanë ndjekur dhe kishin shumë informacione për kambistin. Astrit Rrushi zhvillonte aktivitetin e tij me licencë në qytetin e Përrenjasit.


Ngjarja


Në orët e para të mbrëmjes, dy persona të maskuar kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së kambistit Astrit Rrushi në qytetin e Përrenjasit. Fillisht me ta është përballur bashkëshortja e kambistit, Lirita, të cilën e kanë kërcënuar e më pas e kanë lidhur në brendësi të shtëpisë.


Gruas i kanë bërë kërkesën për të nxjerrë paratë, por kjo e fundit ka përsëritur disa herë se nuk kishte. Shtëpia është kthyer përmbys nga dy autorët, por pa gjetur paratë. Më pas ka mbërritur burri i cili është përballur gjithashtu me kërrcënimin e armës. Dy të maskuarit kanë përqendruar vëmendjen tek 49-vjeçari duke i kërkuar të dorëzojë paratë.


Kur ky i fundit nuk ka pranuar, atëherë e kanë goditur me pjesën e fortë të armës dhe më pas me bajonetën e saj. Mësohet se burri është goditur disa herë duke u lënë i gjakosur. Kur gruaja është munduar t'iu shpëtojë për të kërkuar ndihmë, është goditur gjithashtu me pjesë të armës.


Provat


Burime të policisë bëjnë të ditur se si provë materiale është regjistruar një jelek dhe një kapuç me dy pjesë të prera për sytë.


Gjithashtu, policia gjeti një krehër automatiku me 3 fishekë, ndërsa në kuzhinë u gjetën 11 copë fishekë, si dhe dy gëzhoja automatiku, një thikë dhe 113 mijë lekë në xhepin e brendshëm të një jeleku.


Pritet që provat, si dhe shenjat e grumbulluara në vendin e ngjarjes të çojnë tek autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Vëmendja është përqendruar tek gjendja e çiftit, pasi përmirësimi i tyre mund të sjellë edhe identifikimin e autorëve.


Gjithsesi, aktualisht policia po shkel të gjithë zonën dhe ka shoqëruar shumë persona për të mbërritur tek autorët. Gjithashtu, janë ngritur postblloqe përgjatë rrugës nacionale dhe po kryhen kontrolle në mjete me qëllim moslejimin e largimit nga territori shqiptar i autorëve. Aktualisht ata akuzohen për "vjedhje me armë" dhe "plagosje të rëndë me dashje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›