E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, banorët e Golemit bllokojnë rrugën, shkak çmimi i ulët i shpronësimeve

Pavarësisht shiut të dendur që ka vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme qindra banorë të Golemit kanë bllokuar rrugën Plepa-Kavajë, në të cilët po kryhen punimet për zgjerimin e saj. Për disa orë trafiku në këtë segment ka qenë mjaft i rënduar për shkak të protestës së banorëve që kërkojnë të shpronësohen me çmimet e miratuara në Këshillin e Ministrave dhe jo me një çmim fare qesharak që ju është caktuar. Protesta nga më të ndryshmet kanë shoqëruar punimet e kësaj rruge që janë kundërshtuar nga banorët dhe bizneset. Shkak i bllokimit të rrugës këtë radhë nuk kanë qenë ato që janë bërë të ditura me projektin, por me çmimin që është përcaktuar për shpronësimet e tokës në pjesën ku rruga zgjerohet në drejtim të detit. Banorët kanë deklaruar se nuk pranojnë në asnjë mënyrë çmimin që është përcaktuar 350 lekë për metër katror, në një kohë që sipas çmimit që është deklaruar me vendim të Këshillit të Ministrave, çmimi i tokës në këtë zonë duhej të ishte nga 13 000 lekë deri në 16 900 lekë të reja për metër katror. Banorët kanë deklaruar që një vendim i tillë në lidhje me çmimin ka prapavijë politike, pasi ne kemi marrë vesh që toka që po shpronësohet në komunën e Rrashbullit në Shkëmbin e Kavajës është vlerësuar me 20 mijë lekë të reja një metër katror. Ne nuk do të lejojmë që ta vjedhin mundin dhe djersën tonë duke e vlerësuar tokën pa marrë parasysh vendin ku ajo ndodhet. Janë rreth 300 shtëpi në Kryemëdhenj që preken nga shpronësimi për zgjerimin e rrugës, ndërkohë që sipërfaqja totale e tokës që do të zihet nga zgjerimi i rrugës është 2 hektarë. Edhe komuna e Golemit është shprehur kundër këtij çmimi prej 350 lekësh, duke shtuar se toka në këtë vend nuk mund të klasifikohet si tokë bujqësore, pasi ajo është vetëm 500-800 metër larg bregut të detit. Banorët kanë dërguar një peticion tek kryeministri Berisha, ministria e Transporteve, si dhe prefekturës së Kavajës dhe deputetit të Kavajës për të ndërhyrë që të vendoset një çmim i pranueshëm për shpronësimet por deri tani ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe duket se edhe kjo protestë e radhës po shoqërohet me indiferencën qeveritare. Gjithsesi banorët kanë deklaruar se nëse nuk marrin asnjë përgjigje ata do ta përshkallëzojnë protestën e tyre dhe nuk do ti lejojnë punimet të vazhdojnë. Rruga me gjatësi 35 kilometra do të kushtojë afro 460 milion lekeve dhe tri lotet e para tashmë janë në fazën e tyre të punimeve të shpejtuara. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, investitori i zbatimit të projektit, fillimisht është ndeshur në bllokimin e punimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës sh.a pasi gjatë zgjerimit të rrugës në anë të majtë të saj është vënë në rrezik traseja e hekurudhës. Sapo firmat zbatuese kanë nisur të ndërtojnë muret mbrojtëse e mbajtëse, ka qenë shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve që ka apeluar për dëmin e bërë. Gjatë gërmimit në afërsi të Përroit të Agait, pika ndarëse mes Kavajës e Durrësit, mjetet e rënda të firmës kanë dëmtuar tubacionin e ujit që vinte në Manskuria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›