E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca miraton pa opozitën Projektligjin për Gjykatën Administrative

Socialistët sabotojnë mbledhjet parlamentare, për taksën e votës
Shqetësimi i opozitës për taksën e votës ka bërë që Komisioni parlamentar i Ligjeve të kalojë vetëm me votat e mazhorancës për miratim, projektligjin Për Gjykatën Administrative, pasi socialistët nuk ishin të pranishëm. Duke filluar që nga bojkotimi i mbledhjes në seancën e fundit plenare, opozita ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje, nëse qeveria nuk heq taksën e votës. Qëlli,i i krijimit të Gjykatës Administrative është garantimi i mbrojtjes së të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Projektligji garanton mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave të personave, nëpërmjet detyrimit që i vihet organeve publike të provojnë ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes të veprimit administrativ, të nxjerrë prej tyre.
Disa nga amendamentet e opozitës për gjykatën administrative
Në mbledhjen e kaluar të Komisionit parlamentar të Ligjeve opozita solli amendamentet e saj për projektligjin Për gjykatën administrative me disa ndryshime në krahasim me projektligjin e hartuar nga qeveria. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili u shpreh se në pjesën më të madhe amendamentet e opozitës nuk janë shumë ndryshe nga projektligji i qeverisë. Sipas tij, këto amendamente kanë bërë riformulime të fjalive, por jo ndryshime në koncepte. Por, neni më i diskutuar ishte neni 4 për  organizimin e gjykatave administrative. Sipas parashikimit në projektligj(varianti i Këshillit të Ministrave), paragrafi i dytë i këtij neni, gjykata administrative e shkallës së parë është e organizuar me një gjykatë, në Tiranë, dhe me seksionet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore të vendit. Numri i tyre përcaktohet me dekret të Presidentit të Republikës mbi propozimin e ministrit të Drejtësisë, pasi ka marrë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Opozita shprehu idenë se gjykata administrative nuk duhet të organizohet në seksione, pasi kjo e komplikon më tepër sistemin e drejtësisë, duke cenuar pavarësinë. Socialistët propozuan këtë ndryshim. Sipas saj, Gjykata kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, sipas këtij ligji, janë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Gjykata e Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë. Gjykatat administrative të shkallës së parë janë të organizuar në qëndrat e rretheve, ku kanë selinë e tyre Gjykatat e Apelit. Ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ka selinë në Tiranë.  Numri i gjykatave administrative të shkallës së parë, kompetencat tokësore, selia, numri i gjyqtarëve të tyre dhe të gjykatës së administrative të apelit caktohen me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet, pasi të këtë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në nenin 3 është bërë përkufizimi i disa termave me rëndësi themelore për projektligjin. Sipas draftit të opozitës, terminologjia e përdorur nuk duket e saktë në projektin e paraqitur nga ana e Këshillit të Ministrave. Përfshirja në përkufizimin organ publik, si dhe njehsimi me të, i çdo personi juridik apo fizik (privat) që ushtron funksione publike, nuk është një zgjidhje korrekte. Në nenin 5, sipas opozitës, është përmirësuar paragrafi i dytë i këtij neni, duke vënë një kufi prej 10% të numrit të atyre të cilët mund të ushtrojnë funksionet e gjyqtarit në gjykatën administrative, por jo në kushtet e parashikuara në dispozitat e ligjit nr. 9877, date 18.2.2008 Për organizimin e pushtetit gjyqësor ne Republikën e Shqipërisë, pra propozimi është i tillë që prurjet në gjykatën administrative nuk do të jenë vetëm nga Shkolla e Magjistraturës. 10% e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve administrativë mund të jenë edhe nga juristët e kualifikuar, nga rradhët e profesoratit dhe të administratës shtetërore. Ndërsa, në nenin 6 parashikohet rrethi i kërkesëpadive, të cilat shqyrtohen nga ana e gjykatave administrative dhe konkretisht kërkesë-paditë kundër akteve administrative, akteve nënligjore normative dhe kontratave administrative të nxjerra në sferën e veprimtarisë administrative nga organet e administratës publike, kërkesëpaditë kundër refuzimit për tu shprehur apo mosveprimit të organeve te administratës publike, kërkesëpaditë me anë të cilave kërkohet mbrojtja e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetuese dhe ligjore kundrejt ndërhyrjes së paligjshme nga ana e organeve të administratës publike

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›